Emërimi i ish-shefit të Komitetit Ushtarak të NATO-s, Sir Stuart Peach, si i dërguar i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, nuk është komentuar zyrtarisht nga Bashkimi Evropian.
Por, emërimi është parë si dëshmi se Londra, edhe pas daljes nga BE-ja (Brexit), dëshiron të ketë rol të rëndësishëm në këtë rajon dhe, aq sa do të jetë e mundur, të bashkëpunojë edhe me BE-në.
Mes Brukselit dhe Londrës, kohëve të fundit, ka pasur shumë mospajtime, kryesisht për shkak të dallimeve në interpretimin e disa aranzhimeve për raportet pas Brexit-it.
Por, diplomatët shpresojnë se kjo nuk do të dëmtojë bashkëpunimin në ato fusha, ku BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar kanë interesa të përbashkëta.
Ballkani Perëndimor, sidomos situata e tensionuar midis entiteteve në Bosnje e Hercegovinë dhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, janë në mesin e atyre fushave.
I pyetur për koment të BE-së rreth emërimit të të dërguarit të posaçëm britanik për Ballkanin, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se “Mbretëria e Bashkuar nuk është anëtare e BE-së” dhe “nuk kemi çfarë të komentojmë për emërimet në nivel kombëtar”.
Në pyetjen se a ka pasur i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, takime me përfaqësues të Qeverisë britanike, Stano është përgjigjur: “Lajçak ka takime me të gjithë, edhe në BE e rajon, edhe më gjerë në skenën ndërkombëtare”.
Emërimi i Sir Stuart Peach vjen pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë angazhuar dy diplomatë të lartë për rajonin: Gabriel Escobarin për Ballkanin Perëndimor dhe Matthew Palmerin për reformën zgjedhore në Bosnje e Hercegovinë.
Bashkimi Evropian, ndërkaq, ka të dërguarin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
BE, në secilin rast, nënvizon se ka bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor, por në rastin e Mbretërisë së Bashkuar, një gjë e tillë nuk thuhet shpesh në publik.
Diplomatët thonë se nuk ka dyshim se pas largimit nga BE-ja, Britania e Madhe nuk e ka më rolin që ka pasur dikur. Kjo, pasi një prej argumenteve që ka BE-ja për ndikim në rajonin e Ballkanit Perëndimor është perspektiva e anëtarësimit të tij në BE.
Por, Britania e Madhe, thonë diplomatët në Bruksel, vazhdon të jetë e rëndësishme, pasi është vend i rëndësishëm i NATO-s, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe anëtare e Quint-it.