Sveçla në forumin ministror në Slloveni, diskutohet edhe për terrorizmin e ekstremizmin e dhunshëm

Është zhvilluar forumi ministror mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor për Drejtësi dhe Punë të Brendshme, të organizuar nga Presidenca e Sllovene e Këshillit të BE-së, në Brdo të Sllovenisë, ku pjesëmarrës ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla.

Aty u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, migrimit të paligjshëm, si dhe terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Sveçla theksoi se fokusi i Ministrisë së Punëve të Brendshme është dhe do të vazhdojë të jetë në luftimin e krimeve të ndryshme si trafikimi i qenieve njerëzore, narkotikëve, kontrabandimi i migrantëve si dhe trafikimi i armëve të vogla dhe të lehta, thuhet në komunikatën për media.

Sveçla, sipas njoftimit të ministrisë, ka paraqitur nevojën për mbështetje në ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe teknike në luftën kundër krimit të organizuar.

Në takim me drejtoreshën Ekzekutive të Europolit, Catherine De Bolle, u dakordua që të operacionalizohen dy marrëveshjet tashmë të nënshkruara me Europolin dhe të intensifikohen punët për nënshkrimin e marrëveshjes së radhës.