Sindikata e Infermierëve të Kosovës ka reaguar për mosmarrëveshjen që është raportuar se kanë pasur sot një mjek specializant i Ortopedisë dhe një infermier i Klinikës Emergjente.
Nga SIK deklarojnë se e dënojnë ashpër sulmin fizik të ushtruar ndaj infermierit nga mjeku.
“Pavarësisht rrethanave që mund të kenë quar deri tek përdorimi i dhunës fizike, përdorimi i saj ndaj infermierëve, sidomos kur kryhet nga një profesionist shëndetësor është akt i shëmtuar, i turpshëm dhe vepër e patolerueshme, pasi që ekzistojnë organet kompetente për trajtimin e shkeljeve, mosmarrëveshjeve dhe kontesteve të të gjitha llojeve.” thuhej në një postim në Facebook të Sindikatës.
Tutje inkurajoheshin organet e drejtësisë që rastit në fjalë dhe rasteve tjera të sulmeve fizike ndaj infermierëve t’i jepet përgjigje e merituar.
“Sindikata e Infermierëve të Kosovës kërkon nga SHSKUK / QKUK që të marrë masa diciplinore ndaj mjekut në fjalë. Sindikata e Infermierëve të Kosovës kërkon nga Oda e Mjekëve të Kosovës dhe Prokurori i Odës së Mjekëve të Kosovës që të filloj procedurat dhe të merrë masa konform legjislacionit dhe rregulloreve të OMK. Sindikata e Infermierëve të Kosovës kërkon nga Komiteti për Specializime i lëmisë përkatëse të cilës i takon mjeku që të ndërmarrë masat e nevojshme brenda kompetencave të tyre. Nga Oda e Infermierëve të Kosovës kërkojmë përkrahje në sensibilizimin e organeve në mënyrë që rastet e tilla mos të ndodhin në të ardhmen.”
Sindikata gjithashtu i bëri ftesë infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë që të mos dekurajohen nga rastet të tilla, siç i quajtën të ulëta dhe të turpshme, pasi besojnë në sistemin e drejtësisë.