Trupi gjykues refuzon disa dëshmitarë të mbrojtjes Gucati e Haradinaj

Në Dhomat e Specializuara në Hagë nesër do të hapet çështja nga ana e mbrojtjes në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Vendimi është marrë sot nga trupi gjykues, i cili ka bërë të ditur se nesër do të bëhet deklarata hapëse e mbrojtjes së Hysni Gucatit, ndërsa paraqitja e provave dhe dëshmitarëve do të fillojë të hënën më 6 dhjetor.

Në konferencën e sotme përgatitore për mbrojtjen, trupi gjykues ka refuzuar dëgjimin e tre dëshmitarëve të mbrojtjes, një ka pranuar ta dëgjojë pjesërisht, ndërsa ka aprovuar dëshmitarët e tjerë që ishin në listë të dëshmitarëve të mbrojtjes.

Kryetari i trupit gjykues në rastin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, Charles L. Smith III ka pranuar kërkesën e avokatëve që të fillohet me çështjen e mbrojtjes së Gucatit dhe pas përfundimit të saj të vazhdohet me atë të Haradinajt, meqë ky i fundit po përballet me simptoma të COVID-19.

Gjykatësi gjithashtu bërë të ditur vendimet që lidhen me pranimin ose jo të dëshmitarëve të paraqitur nga ana e mbrojtjes, për të cilat vendimi me shkrim do të publikohet nesër.

Paraprakisht, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte paraqitur mocione për të hequr dëshmitarë nga lista e dëshmitarëve të mbrojtjes.

“Lidhur me kërkesën e parë të prokurorisë që është F312 trupi gjykues do të adresojë vetëm dëshmitarët që propozohet të thirren nga mbrojtja, lidhur me dëshmitarin e mbrojtjes së Gucatit 1221 dhe 1222, ne mendojmë se disa aspekte të tyre janë me natyrë të diskutueshme, por jo të tilla që të mos lejohen, sikurse ka disa aspekte të dëshmisë së tyre që lidhen qartësisht me çështjen. Prandaj, trupi gjykues lejon thirrjen e tyre, por e kërkon mbrojtjen e zotëri Gucatit që të sigurohet se dëshmia që do të merret prej tyre të jepet rreptësishtë në këto procedura”, ka bërë të ditur kryetari i trupit gjykues.

Ndërsa lidhur me dy dëshmitarë të tjerë, trupi gjykues ka vlerësuar se mbrojtja nuk ka demonstruar rëndësinë e dëshmisë së tyre.

“Lidhur me dëshmitarin e zotëri Haradinajt 1246, trupi gjykues është i kënaqur se ajo që propozohet lidhet me pretendimin e shtyrjes për vepra penale prandaj e lejojmë të thirret për atë çështje pa cenuar çështjen e disponueshëmrisë së veprës së nxitjes së veprës penale sipas regjimit të zbatueshëm ligjor. Lidhur me dëshmitarin 1250 dhe 1251, trupi gjykues konstaton se mbrojtja nuk ka demonstruar rëndësinë e dëshmisë së tyre të propozuar prandaj refuzon thirrjen e tyre dhe nuk do të lejojë mbrojtjen e Haradinajt që t’i thërrasë”, ka thënë Smith.

Prokuroria ka kundërshtuar edhe dëshmitarin 1252 të mbrojtjes së Haradinajt, i cili është dëshmitar ekspert, por trupi gjykues ka vendosur ta dëgjojë vetëm një pjesë të dëshmisë së tij.

Kryetari i trupit gjykues ka bërë të ditur refuzimin e dëgjimit të dëshmitarit të dytë në cilësinë e ekspertit me kodin 1253 dhe gjithashtu refuzuar të dëgjojë dëshmitarin 1248.

“Lidhur me dëshmitarin e mbrojtjes së Gucatit 1243, 1244 dhe 1245, 1247 dhe dëshmitarin e mbrojtjes së Haradinajt 1254, trupi gjykues është i mendimit se disa pjesë të dëshmisë së tyre janë opinione, por ne mendomë se duhet të marrë apo duhet ofruar si provë kjo dëshmi, nëse ndodh kjo prokuroria mund të kundërshtojë marrjen e dëshmisë, pranimin e deklaratës apo pjesëve të saj si provë materiale. Trupi gjykues konstaton se është e parakohshme të jep vendim për pranueshmërinë e tyre në këtë fazë”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.

Në konferencën e sotme, ZPS ka kundërshtuar listën me dëshmitarë të paraqitur nga mbrojtja me arsyetimin se deklaratat e disa dëshmitarëve nuk lidhen me çështjen në fjalë.

Lidhur me këtë, mbrojtja e Haradinajt, avokati Toby Cadman ka thënë se tashmë kanë theksuar elementet e interesit publik për të dëgjuar dëshmitarët e paraparë.

“Sa i takon dëshmitarit W1246, edhe pse ky dëshmitar është pjesë e listës së dëshmitarëve, të cilët kërkohen prej nesh, ky dëshmitar është i rëndësishëm, sepse duhet të nxjerrim nëse Policia e Kosovës është udhëzuar për të kryer hetime ose është penguar për të kryer hetime. Kështu që është e qartë pozicione ishte nga ky dëshmitar sa i takon ZPS-së dhe sa i takon udhëzimeve që i ka dhënë ZPS-ja Policisë së Kosovës. Personi në fjalë ka qenë një person në nivel të lartë në policinë kosovare dhe fakti që personi nuk ka qenë në vend në momentin e nxjerrjes së informacionit, nuk cek provat që ai mund t’i paraqesë. Ai, si zyrtar i lartë i policisë, mund të thotë se cilat janë udhëzimet, të cilat i janë dhënë policisë së Kosovës dhe oficerëve të tjerë të cilët kanë qenë nën drejtimin e tij”, ka thënë Cadman.

Mbrojtja e Haradinajt, avokati Toby Cadman ka kërkuar që të fillohet me mbrojtjen e Gucatit dhe pastaj të vazhdohet me Haradinajn meqë ky i fundit po përballet me simptoma të COVID-19 dhe nuk po merr pjesë fizikisht në seancë gjyqësore.

“Në rastin e zotit Haradinaj është pak ndryshme situate sepse vazhdon të shfaqë shenja të COVID-it, nuk kemi qasje të drejtpërdrejt përveç komunikimeve të sigurta elektronike, sigurisht që kjo na krijon probleme sepse duhet të marrim udhëzime kur të fillojë gjyqi, prandaj do të ishte mirë siç kemi sugjeruar që mbrojtja e Gucatit të ishte e para pastaj mbrojtja e Haradinajt të vinte pas, kjo do të më mundësitë të kisha kontakte me Haradinajn kur të paraqesim çështje. Për momentin, jemi të informuar se do të rrijë në karantinë deri nesër të paktën, nuk e dimë nuk e kanë bërë testin ende, por paraqet simptoma”, ka thënë avokati i Haradinajt.

Megjithatë, ai ka përcjellë qëndrimin e Nasim Haradinajt i cili është i interesuar që të mos ketë ngecje të procesit gjyqësor, por i njëjti të përfundojë sa më parë.

Ndërsa nga ZPS është kërkuar që të shkohet me të dy mbrojtjet në të njëjtën kohë, por një gjë e tillë është kundërshtuar nga avokatët.

“I kemi nxjerrë të gjitha deklaratat e dëshmitarëve të hollësishme, të çdo dëshmitari që propozojmë të thërrasim, nuk kemi nevojë dhe nuk marrim mësim për nxjerrje materiali, sidomos lidhur me çështjen e nxjerrjes paraprake të listës së dëshmitarëve nga prokuroria. Në deklaratat tona të dëshmitarëve kemi parashtruar çështjet për të cilat një dëshmitar synohet që të jap dëshmi, nëse do të dalë ndonjë çështje shtesë që do të kërkojë nxjerrje të mëtejme do ta bëjmë një nxjerrje të tillë”, ka thënë avokati i Gucatit, Jonathan Elystan Rees.

Rees gjithashtu ka përsëritur kërkesën e mbrojtjes që ZPS të jep një emër nga stafi i tyre të cilit mbrojtja do të mund t’i bënte pyetje rreth rrjedhjes së dokumenteve dhe dërgimit të tyre në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Ai ka thënë se dëshmitarët e deritanishëm të ZPS-së nuk ndihmojnë në zbardhjen e këtij rasti andaj sipas tij, ZPS duhet të ofrojë një tjetër dëshmitar për këtë çështje. Por, prokuroria edhe njëherë ka theksuar se nuk planifikon të thërrasë dëshmitare të tjerë në këtë rast.

Ndërsa kryetari i trupit gjykues gjithashtu ka bërë të ditur se nuk do të lejojnë dëshmitë që nuk lidhen e me çështjen në fjalë.

“Vërejmë me shqetësim se një numër dokumentesh që janë në listën e provave materiale të mbrojtjes nuk duket se kanë lidhje me procedurën, theksojmë drejtësinë e luftës dhe kryerje ne krimeve gjatë një konflikti nuk janë çështje që kanë të bëjnë me këtë çështje dhe trupi gjykues nuk do të lejojë marrjen apo paraqitjen e dëshmive të tilla. Dëshmi lidhur me karakterin e luftës apo akte të paligjshme që i atribuohen vendeve, palëve apo personave nuk lidhen me këtë çështje, pyetje të bëra përgjatë këtyre linjave apo përgjigjet e dëshmitareve për këto tema do të ndërpriten dhe nuk do të lejohen”, ka thënë Smith.

Turpi gjykues synon 17 janarin 2022 datë për mbylljen e çështjes së mbrojtjes.

Në konferencën e sotme u tha se mbrojtja e Hysni Gucatit ka ngritur përsëri çështjen e vazhdimit të mbajtjes në paraburgim, për çka trupi gjykues ka thënë se janë në pritje të përkthimit në anglisht të raportit të Policisë së Kosovës të cilën e ka dërguar më 25 nëntor 2021.

Konferenca e sotme përgatitore i paraprin hapjes së çështjes së mbrojtjes. Prokuroria kishte hapur çështjen e saj më 7 tetor dhe ka paraqitur të dhënat e saj nga 18 tetor deri 5 nëntor për ta mbyllur pastaj çështjen e saj zyrtarisht më 10 nëntor 2021.

Më 26 nëntor, trupi gjykues kishte vendosur të mos hidhte poshtë asnjë nga akuzat e prokurorisë në këtë fazë, vendim ky që i ka hapur rrugë mbrojtjes të hapë çështjen e saj.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK-së, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 dhe prej atëherë po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.