Mbretëria e Bashkuar cakton emisar për Ballkanin

Chairman of the NATO Military Committee, Air Chief Marshal Sir Stuart Peach

Pas Amerikës, edhe Mbretëria e Bashkuar ka caktuar një emisar për Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri britanik Boris Johnson ka emëruar Sir Stuart Peach si të Dërguar të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

I njëjti do ta marrë detyrën e re pasi të ketë dhënë dorëheqje nga detyra e Kryetarit të Komisionit Ushtarak të NATO-s, një rol të cilin e mban prej vitit 2018. Më parë ai ka shërbyer edhe si Shef i Shtabit të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.

Në njoftimin e ambasadës britanike thuhet se Sir Stuart Peach do të punojë me partnerët ndërkombëtarë në mbështetje të dialogut Serbi-Kosovë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Si i Dërguar i Posaçëm i Kryeministrit, Sir Stuart Peach do të punojë me liderët e Ballkanit Perëndimor, me të tjerët në rajon, dhe aleatët në SHBA dhe Evropë, për të mbështetur dhe përforcuar stabilitetin rajonal. Puna e tij do të përfshijë gjithashtu promovimin e institucioneve të forta demokratike dhe shoqërive të hapura, duke favorizuar luftën ndaj krimit të organizuar dhe sfidat e tjera të përbashkëta të sigurisë, si dhe inkurajimin e zgjidhjes së çështjeve të trashëguara, si krimet e luftës dhe personat e zhdukur.

Lidhur me këtë të fundit, Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë gjithashtu të udhëheqë punën për avancimin e barazisë gjinore dhe zbatimin e Iniciativës për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt. Në Bosnje dhe Hercegovinë, puna e Sir Stuart Peach do të mbështesë atë të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, i cili vazhdon të ketë mbështetjen e plotë të Britanisë”.