Institucioneve të Kosovës iu kërkohet mos të ndikohen nga shantazhi i Listës Serbe

Pavarësisht paralajmërimeve të Listës Serbe për tërheqje nga institucionet e Kosovës dhe sabotimit të Kryesisë së Kuvendit, institucioneve të vendit iu kërkohet mos të ndikohen nga këto qëndrime.

Të njëjtat konsiderohet si shantazh dhe tentim për të frikësuar ekzekutivin me qëllim të lëvizjes pozitive për themelimin e asociacionit të komunave serbe.

Mungesën e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e Listës Serbe Slavko Simiq në gjashtë mbledhje të Kryesisë së Kuvendit, analisti politik Gazmir Raci po e sheh më shumë si manovër politike. Sipas tij, në bazë të fuqisë politike dhe numrave të shumicës në legjislativ, Lista Serbe nuk ka fuqi të shantazhojë Ekzekutivin.

“Serbia përmes Listës Serbe po tenton të bëjë presion ndaj institucioneve të Kosovës për të lëvizur drejt asociacionit. Është një mekanizëm që ata e kanë instaluar në Kosovë, por nuk duhet t’i jepet rëndësi, pasi nëse i jepet, rritet niveli i ndikimit të tyre në politikën e brendshme të Kosovës. Andaj më shumë duhet të shihet si manovër politike e Serbisë në Kosovë, përmes Listës Serbe…Në bazë të fuqisë reale të mazhorancës aktuale, nuk ka mundësi të ketë ndikime Lista Serbe në këtë qeverisje sikurse në të kaluarën. Ndoshta ata janë mundësuar me shantazhe me qeverisjet e kaluara, por tashmë është një gjendje ndryshe dhe është një shumicë me 65 votave të mazhorancës dhe nuk ka mundësi për të shantazhuar dhe kërcënuar. Ata kanë bërë një lojë politike në kuadër të ndryshimeve që kanë ndodhur për nënkryetar të Kuvendit për shkak të lëvizjes së personave të caktuar për zgjedhjet lokale. Janë munduar me sabotuar, ndoshta edhe përkohësisht, por besoj se gjendja do të kthehet në normalitet”.

Tendencën e Listës Serbe për të sabotuar Kryesinë e Kuvendit, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi e konsideron më shumë si një tentim për të frikësuar institucionet dhe rritjes së ndikimit të tyre në politikën e brendshme me qëllim themelimin e asociacionit. Megjithatë, ai thotë se institucionet duhet të veprojnë në bazë në Kushtetutës dhe assesi tekeve individuale.

“Në aspektin e ekzekutivit (Lista Serbe) nuk mundet t’i bëjë shumë probleme qeverisë, por në aspektin parlamentar ka ligje që kërkojnë 2/3 e votave. Siç është Ligji për Arsimin e Lartë dhe kështu me radhë. Ka ligje të tjera që mund të kërkohet 2/3 edhe të komunitetit për të aprovuar ligje. Andaj nuk është aq e thjeshtë kjo çështja e palës serbe që po i refuzon institucionet e Kosovës. Duhet të hapet debati paralelisht me komunitetin serb, se çka ata kërkojnë nga Qeveria e Kosovës… Ne duhet të veprojmë si shtet dhe jo në bazë të tekeve individuale, por në bazë të rregullave, ligjeve dhe Kushtetutës që e kemi aktuale”, tha Arifi.

Pavarësisht fuqisë politike të Qeverisë Kurti, analisti, Gazmir Raci kërkon kujdes, pasi Serbia vazhdimisht po tenton përmes Listës Serbe të destabilizojë politikisht Kosovën.

“Lista Serbe është një dorë e zgjatur e shtetit serb në Kosovë, andaj Serbia përmes saj tenton të destabilizojë politikisht vendin nga brenda. Natyrisht, tentoi edhe nga jashtë në kohën e reciprocitetit ndaj targave”, tha Raci.

Pas zgjedhjeve lokale dhe fitores në dhjetë komuna, Lista Serbe serish ka paralajmëruar tërheqje nga institucionet e Kosovës në rast se nuk fillohet procesi i themelimit të asociacionit të komunave serbe në Kosovë.

Ani pse nuk ka fuqi politike për të ndikuar në mazhorancën parlamentare, Lista Serbe po shpreh ndikimin e vet duke sabotuar mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit. E njëjta, për shkak të mungesës së kuorumit për herë të gjashtë gjatë kësaj jave ka dështuar të mbajë mbledhje për të caktuar seancën plenare.