Sëmundjet e zemrës, cilët janë faktorët e rrezikut dhe masat parandaluese

Sëmundje kardiovaskulare konsiderohen të gjitha sëmundjet që prekin zemrën dhe enët e gjakut, të cilat janë shkaku më i madh i vdekjeve në të gjithë botën

Një ndër diagnozat kryesore që zë vend sa i përket sëmundshmërisë, por edhe vdekshmërisë nga problemet kardiovaskulare është sëmundja aterosklerotike. Kjo sëmundje prek enët e gjakut që ushqejnë zemrën, të cilat quhen arterie koronare, si dhe enët e gjakut që ushqejnë trurin dhe enët e gjakut periferike që ndodhen kudo në trup.

Sëmundje të tjera që bëjnë pjesë në këtë grup janë:

◾ Sëmundjet që prekin muskulin e zemrës dhe që çojnë në dobësim të forcës së tij, pra në insuficiencën kardiake apo thënë ndryshe pamjaftueshmëri e zemrës.
◾ Sëmundjet valvulare janë patologjitë që prekin valvulet e zemrës. Këto sëmundje mund të jenë të lindura ose të fituara. Sëmundje të fituara kanë si shkak kryesor sëmundjen reumatizmale që mund të ketë kaluar një njeri në fëmijëri apo adoleshencë dhe që manifestohet në moshë të rritur me sëmundje valvulare të zemrës.
◾ Sëmundjet e zemrës që manifestohen me aritmi. Aritmia, e njohur gjithashtu edhe si rrahje e parregullt e zemrës ose disritmia kardiake, është një gjendje ku rrahjet e zemrës janë të parregullta, shumë të ngadalta ose shumë të shpejta.
◾ Insulti cerebral që mund të jetë me natyre iskemike, i cili ndodh kur një tromb bllokon enën e gjakut që ushqen një zonë të caktuar të trurit apo me natyrë hemorragjike kur kemi çarje të enës së gjakut. Zakonisht insulti me natyrë hemorragjike shkaktohet nga hipertensioni arterial.

Faktorët e rrezikut dhe parandalimi i tyre

Sëmundjet kardiovaskulare mund të parandalohen duke pasur në menaxhim faktorët e rrezikut që i stimulojnë ato. Faktorët e rrezikut për sëmundje kardiovaskulare kategorizohen në faktorë të pamodifikueshëm dhe në faktorë të modifikueshëm.

Te faktorët e pamodifikueshëm bëjnë pjesë:

▪ Mosha – Meshkujt mbi 45 vjeç dhe femrat mbi 55 vjeç kanë rrezik për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare.
▪ Gjinia – Meshkujt janë më të rrezikuar se femrat për të zhvilluar sëmundje artereoskleroike, pra të enëve të gjakut. Te femrat ky rrezik shtohet me fillimin e menopauzës.
▪ Trashëgimia – Personat që kanë në pemën familjare një mashkull që ka pësuar një atak kardiovaskular para moshës 55 vjeç ose një femër që ka pësuar një atak kardiovaskular para moshës 65 vjeç, quhen që kanë trashëgimi për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare.

Faktorët e modifikueshëm, të rreziku janë:

◾ Diabeti – Personat diabetikë janë dyfish më të rrezikuar për të zhvilluar sëmundje artereosklerotike të enëve të gjakut kundrejt jodiabetikëve.
◾ Hipertensioni – Te një person me shifra të larta të tensionit arterial, enët e gjakut janë në një presion më të lartë i cili çon në prishje të shtresës së brendshme të enëve të gjakut që quhet endotel dhe prisha e tij çon në formimin e pllakës artereosklerotike, deri në mbyllje nga trombi.
◾ Dislipidemitë – Çrregullim i yndyrave ne gjak. Vlerat e larta të yndyrave në gjak kontribuojnë në formimin e palcës aterosklerotike duke shkaktuar ngushtimin e enëve të gjakut me ç’rast rrisin mundësinë e atakut në zemër.
◾ Duhanpirja – Kjo është pjesë e stilit të jetesës dhe është një nga armiqtë kryesor të enëve të gjakut. Me ndërprerjen e duhanit, ka mundësi që të zhduken edhe efektet e tij të dëmshme. Nuk është kurrë vonë për të ndaluar duhanin. Është shumë e rëndësishme për të mos zhvilluar sëmundje kardiovaskulare, pasi vazhdimi i pirjes së duhanit pas diagnostikimit me sëmundje të zemrës mund të konsiderohet “vetëvrasës”.