Oda e Hotelerisë kundërshton masat e qeverisë, paralajmërojnë protesta

Oda e Hotelerisë dhe Turizmit e Kosovës (OHTK) ka kritikuar vendimin e mbrëmshëm të Qeverisë së Kosovës për masat anti-COVID, ndërkohë që ka kërkuar nga kjo e fundit që të rishikojë vendimin e marrë dhe të zgjasë orarin e gastronomisë dhe lejimin e ahengjeve. Në të kundërtën OHTK nuk e ka përjashtuar mundësinë që edhe të protestojë.

Kryetari i OHTK-së, Hysen Sogojeva, tha se qeveria duhet të rishikojë këto masa dhe t’i merr parasysh kërkesat e tyre, në të kundërtën potencoi se do të shqyrtojnë mundësinë edhe për të protestuar.

Ai tha se zgjatja e orarit të gastronomisë deri në orën 1 pas mesnate, heqja e orës policore dhe lejimi i ahengjeve janë kërkesat kryesore të tyre.

“Ne kërkojmë zgjatjen e orarit, është shumë absurde deri në orën 23, pse deri në 23, ne kemi kërkuar që zgjatja e orarit deri në orën 1, nuk ka kurrfarë arsye mos me u zgjatë. Ora policore sa herë e kemi përmend është e pakuptimtë, të fillojnë organizimet e ahengjeve, ne kemi pasur takim me zëvendëskryeministrin dhe jemi dakorduar, ne mbajmë përgjegjësi po fillojmë me 30-50, po fillojmë ne e mbajmë përgjegjësinë, mbajmë përgjegjësi se nuk do të hyjë asnjë klientë apo dasmorë i cili nuk i ka dy vaksinat ose nuk është negativ… Do të analizojmë situatën se si është në rajon dhe komfor situatës dhe komfor këtyre gjërave ne do të dalim me një vendim dhe nuk përjashtohet ndoshta reagimet me qenë edhe më të ashpra, mundet edhe protesta”, tha ai.

Sogojeva tha se nga qeveria kanë kërkuar edhe zgjatjen e afatit të TVSH-së edhe për pesë vite, të ndihmohen bizneset përmes subvencionimit të pagave dhe të qirave.

Ndërsa, drejtori i departamentit të estradës, Afrim Muçiqi, tha se vendimi i mbrëmshëm i Qeverisë së Kosovës për moslejimin e ahengjeve është i papranueshëm.

“Ky vendim i mbrëmshëm është absolutisht i papranueshëm për neve, është përdorur sërish standard i dyfishtë. Le që jemi të anashkaluar nga rimëkëmbja ekonomike deri më tani, mirëpo tash u anashkaluam edhe me këtë vendim të fundit, kur të gjitha bizneset tjera u lejuan ndërsa vetëm sektori që ne e përfaqësojmë edhe një herë ju bë padrejtësisht ndalesa… I bëjmë thirrje MSH-së, IKSHPK-së dhe Qeverisë së Kosovës që ta rishikojë edhe një herë këtë vendim dhe ta bie vendimin për të gjithë qytetarët e Kosovës njësoj, për të gjitha bizneset njësoj”, tha ai.

Mbrëmë Qeveria e Kosovës ka bërë publike masat e reja anti-COVID, sipas të cilave ende nuk lejohet mbajtja e ahengjeve dhe nuk është zgjatur orari i punës për gastronominë.