Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, u dënua me 4 mijë euro gjobë, për akuzën për konflikt interesi.
Aktgjykimi ndaj Elezajt u shpall të mërkurën në Gjykatën Themelore në Pejë, nga gjykatësja Violeta Husaj-Rugova, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas gjykatëses Husaj-Rugova, bazuar në dispozitat ligjore, lidhur me nenin 365 të KPK-së, gjykata të akuzuarit i shqipton dënim me gjobë në shumën prej 4 mijë euro.
Dënimin në fjalë, i akuzuari Elezaj është i obliguar që ta paguajë në afat prej 6 muaj, nga data e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Nëse i akuzuari nuk e paguan dënimin në afat të caktuar, atëherë gjykata do ta zëvendësoj me dënim me burg, duke e llogaritur 20 euro një ditë burg.
“Më datë 20 shkurt 2018 në Klinë, si person zyrtar në cilësinë e kryetarit të Komunës së Klinës, e ka ditur se vajza e tij ka për të aplikuar në pozitën mjeke e praksës së përgjithshme në QKMF në Klinë, ashtu që ka marrë pjesë personalisht në çështjen zyrtare adiministrative, duke marrë vendim me numër 112891/2018, të datës 20 shkurt 2018, në të cilin formuar komisionin për zhvillimin e procedurave për themelimin e marrëdhënies së punës bazuar në konkursin e publikuar më 2 shkurt 2018, në pozitën mjek i praksës së përgjitshme, një ekzekutuese, në atë mënyrë që komisioni në fjalë e ka përzgjedhur vajzën e të pandehurit si më të suksesshme, duke e punësuar të njëjtën si mjeke e praksës së përgjithshme në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Klinë, me çka ka kryer veprën penale “Konflikt interesi” nga neni 424, paragrafi 1”, tha gjyktësja teksa njoftoi vendimin.
Sipas këtij aktgjykii, i akuzuari obligohet që në emër të paushallit gjyqësor, ta paguajë shumën prej 150 euro, si dhe shumën prej 50 euro në emër të kompenzimit të viktimave të krimit.
Të gjitha këto do të ekzekutohen në afat prej 15 ditësh, pasi që aktgjykimi të marrë formën e prerë.
Palët e pakënaqura, kundër këtij aktgjykimi mund të bëjnë ankesë në afat prej 15 ditësh, nga dita e marrjes së të njëjtit.
Deri tek ky vendim, gjykata ka ardhur bazuar në administrimin e provave në shqyrtim gjyqësor.
Gjykata ka hudhur poshtë propozimin e prokurorisë për shqiptimin e dënimit plotësues, ndalimi i ushtrimit të profesionit, pasi bazuar në veprën penale që i vihet në barrë dhe vendimin e shqiptuar, faktin se vajza e tij më nuk punon në atë pozitë dhe nuk ka arsye për të besuar se mund të përsëritet vepra penale, andaj nuk ka shqiptuar dënimin plotësues të propozuar.
Ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, me 28 prill 2021.
Zenun Elezaj ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Pejë më 29 dhjetor 2020 dhe ishte dënuar me 4 mijë euro gjobë, për veprën penale “konflikti i interesit”.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj- Rugova, ndaj tij ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në afat prej 2 vitesh, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mirëpo, kolegji i gjykatësve të Apelit, i kryesuar nga Tonka Berisha, kanë konstatuar se vendimi i shkallës së parë ishte rezultat i shkeljeve procedurale dhe mungesë e vërtetimit të plotë gjendjes faktike, për çka rastin e kanë kthyer në rigjykim.
Sipas aktakuzës së ngritur më 9 tetor të vitit 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Zenun Elezaj akuzohet se më 20 shkurt 2018, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Klinës, duke e ditur se vajza e tij ka për të aplikuar në pozitën “Mjeke e praksës së përgjithshme”, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Klinë, ka marrë pjesë personalisht në këtë çështje zyrtare, duke marrë vendim për formimin e komisionit për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies së punës.
Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar e kishte përzgjedhur si punëtore vajzën e kryetarit të Klinës, duke e punësuar atë në QKMF-në “Nëna Terezë”, në Klinë.
Në aktakuzë thuhet se hetimet ndaj kryetarit të Klinës, kanë filluar nga kallëzimi penal i ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Prishtinë, ku sipas opinionit të dhënë për prokurorinë, AKK-ja kishte përcaktuar se kryetari i Komunës duhet të përjashtohet nga çfarëdo çështje vendimmarrëse dhe administrative që kanë të bëjnë me ndonjë anëtar të afërm të familjes.
Prokuroria Themelore në Pejë, sipas aktakuzës, më pas ka nisur hetimet ndaj Elezaj më 26 gusht të këtij viti, ku pas analizimit të provave materiale dhe dëshmisë së dëshmitarëve dhe vet të pandehurit, kjo prokurori thuhet se ka ardhur në përfundim se ekzistojnë të gjitha elementet e veprës penale të konfliktit të interesit.