Borrell: Prishtina dhe Beogradi të kthehen në dialog, rruga e vetme për stabilizim

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë që është ende e nevojshme që Prishtina dhe Beogradi të jenë pjesë e dialogut, sepse nuk ka rrugë tjetër për të stabilizuar situatën.

Siç raportojnë mediet serbe, ai këto deklarata i ka dhënë përgjatë takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Riga.

“Situata është qetësuar kohët e fundit, por ka nevojë për t’u kthyer në dialog dhe për të rinovuar dialogun, sepse nuk ka rrugë tjetër për të stabilizuar situatën”, deklaroi ai në ditën e dytë të takimit të përfaqësuesve të NATO-s në Riga.

Sipas tij, Ballkani Perëndimor mbetet një rajon strategjik për Bashkimin Evropian.

“Tri vendet e Ballkanit Perëndimor janë vende anëtare të NATO-s dhe ne kemi lidhje të forta me to. Për arsye sigurie, stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është sakaq i rëndësishëm”, deklaroi Borrell.

Ai theksoi megjithatë se situata në Bosnje dhe Hercegovinë mbetet një shqetësim i veçantë.