​Gërvalla: Nevojitet seriozitet më i madh i ndërmjetësuesve evropian në procesin e dialogut

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla ka thënë se janë të fokusuar në sigurimin e njohjeve nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Gërvalla ka thënë se nevojitet seriozitet më i madh i ndërmjetësuesve evropian në dialogun Kosovë-Serbi. Ajo ka raportuar në Komisionin për Punë të Jashtme ku ndër të tjera ka folur edhe për çështjen e liberalizimit të vizave, nismat rajonale dhe punën në MPJD.

Sipas ministres së Jashtme, ka një përmirësim të dukshëm të marrëdhënieve të Kosovës me shtetet me të cilat ka pasur ngecje.

“Jemi duke punuar intensivisht jo vetëm për njohje të reja në kontinente të tjera por jemi fokusuar shumë në njohje të reja sa i përket pesë shteteve anëtare të bashkimit Evropian të cilat nuk e kanë njohur ende Republikën e Kosovës, aty kemi në përgjithësi progres në përjashtim të një shteti ku nuk kemi asnjë progres, me katër shtetet e tjera kemi goxha biseda të mira, nuk them që jemi në proces të njohjes por jemi në proces të krijimit të marrëdhënieve serioze ekonomike dhe të tjera por edhe politike me shtetet të cilat deri dje kanë refuzuar madje edhe të ulën në një tavolinë me ne”, ka thënë Gërvalla.

Ministrja e Jashtme ka thënë se dialogu me Serbinë është e vetmja rrugë për të zgjidhur çështjen me Serbinë.

“Nuk presim ndonjë rezultat nga këto bisedime për shkak se Serbia në pranverën e vitit të ardhshëm hyn në zgjedhje, presidenti Vuçiq hyn në zgjedhje dhe presidenti serb nuk është i interesuar tregon saktë me deklaratat e tij që nuk është i interesuar të ketë sukses në këtë proces të dialogut deri në rizgjedhjen e tij, ne megjithatë mbetemi koesistent në atë që dialogu natyrisht që është e vetmja rrugë sepse ne Kosova asnjëherë nuk e ka hapur luftën dhe as nuk e ka kërkuar luftën me askënd, dialogu është e vetmja rrugë për gjetjen e zgjidhjeve edhe me fqinjin tonë verior por nevojitet në të njëjtën kohë një gjuhë tjetër nga Serbia në raport me Kosovën dhe një seriozitet më i madh i ndërmjetësuesve evropian në këtë proces”, ka thënë Gërvalla.

Ndërsa lidhur me anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, Gërvalla ka thënë se kanë një strategji të qartë rreth hapave që do të ndërmarrin në këtë drejtim.

Por sipas saj, pa krijimin e partneriteteve të vogla dhe të mëdha me shtete të ndryshme, avancimi i statusit të Kosovës në organizata ndërkombëtare është i pamundur.

E duke folur për nisma rajonale, Gërvalla ka thënë se përmes iniciativës “Open Ballkan” është tentuar të krijohet paralele me alternativen e vetme që e ka Ballkani drejtë BE-së dhe me procesin e Berlinit.

“Filloi si iniciativë e NoviSadit, vazhdoi si minishengen, të shohim kur takohen herën e ardhshme tre inicuesit e saj cilin emër do të marrë Ballkani i Hapur. Nuk ka marrë Republika e Kosovës asnjë moment të caktuar asnjë përshkrim të vetëm të shkurtë apo të gjatë se çfarë është iniciativa ‘Open Ballkan’, asnjëherë Republika e Kosovës nuk ka marrë asnjë ftesë zyrtare për të qenë e pranishme, përveç prononcimeve publike të cilat i kemi dëgjuar. Prandaj pozicioni ynë është shumë i qartë, ‘Open Ballkan’, ashtu siç e shohim ne në këtë moment, është një iniciativë për të hequr vëmendjen nga procesi i Berlinit dhe është një vegël, një mekanizëm të cilin Serbia kërkon ta ketë në dorë për të penguar Kosovën drejt integrimeve rajonale”, ka thënë ajo.

Ndërsa për vizat, ministrja e Jashtme është shprehur optimiste se mund të ketë ndryshim të qasjes skeptike nga Franca.

“Për mendimin tim personal, nuk përjashtohet mundësia që shumë shpejtë, nuk dua ta përjashtoi apriori mundësinë që shumë shpejt mund të kemi një ndryshim të kësaj qasje të deritanishme të skepticizmit ndaj liberalizimit të vizave por edhe nuk do të më habiste fakti nëse një temë e tillë do të shtrohej më me intensitet dhe më seriozisht pas zgjedhjeve në Francë sepse ka një përshtypje sikur refuzimi i Frnacës është i lidhur edhe me çështje të brendshëm të Francës. La edhe shtete të tjera sidomos një shtet i dytë i cili shpreh të jetë skeptik jo në këtë masë sa Franca rreth liberalizimit të vizave”, ka thënë Gërvalla.

Ministrja e Jashtme para deputetëve ka thënë se deri në fund të muajit dhjetor pritet që të gjithë ambasadorët e emëruar të fillojnë shërbimin e tyre në misionet diplomatike, derisa ka theksuar si shqetësim pagat e tyre.

Ajo ka thënë se ka hezitime për të aplikuar në shërbimet e largëta për shkak të kostos së lartë të jetesës dhe ka bërë të ditur se i ka propozuar qeverisë strukturimin e pagave për shërbimin e jashtëm.