Tërmkolli: Dorëheqja e Rrahman Ramës, hakmarrje e Kurtit e Osmanit për humbjen e Jasharit në Skenderaj

Ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, ka reaguar ashpër për dorëheqjen e Rrahman Ramës nga pozita e komandantit të FSK-së.

Në një postim në Facebook, Tërmkolli ka thënë se dorëheqja e Ramës ishte e detyruar dhe pjesë e një “hakmarrje” të presidentes Osmani ndaj qytetarëve.

“Së pari, kjo a tregon shenjë hakmarrjeje për humbjen e Bekim Jasharit në zgjedhjet komunale si kandidat joformal i tyre, i VV-së dhe listës imagjinare “Guxo”, më saktë si hakmarrje ndaj qytetarëve që guxuan të votojnë dikë tjetër e jo të preferuarin e tyre?!”, ka shkruar Tërmkolli.

Sipas saj, Osmani dhe Kurti duhet të japin detaje pse është “detyruar” sipas saj Rama të jap dorëheqja nga pozita e të parit në FSK.

Postimi i plotë i Tërmkollit në Facebook:

Shenjat e “hakmarrjes” shtetërore!

Pyetje që duan përgjigje!

“Detyrimi” i dhënies së dorëheqjes së Rrahman Ramës nga pozita e Komandantit të FSK-së dhe emërimi i Bashkim Jasharit në këtë pozitë, a janë shenja për një hakmarrje të dyfishtë të Presidentes dhe Kryeministrit të Kosovës ndaj qytetarëve dhe të gjithë “të tjerëve”?!

Së pari, kjo a tregon shenjë hakmarrjeje për humbjen e Bekim Jasharit në zgjedhjet komunale si kandidat joformal i tyre, i VV-së dhe listës imagjinare “Guxo”, më saktë si hakmarrje ndaj qytetarëve që guxuan të votojnë dikë tjetër e jo të preferuarin e tyre?!.

Së dyti, nëse janë të vërteta ato që u thanë në disa medie për automjetet e FSK-së, a është shenjë hakmarrjeje ndaj Komandantit të FSK-së i cili vendosë e vepron në bazë të ligjit dhe marrëveshjes me SHBA-të duke refuzuar veprimet parapolitike të Ministrit të Mbrojtjes?!

Nëse ka kërkuar Ministri i Mbrojtjes ato që janë thënë në medie, duhej të shkarkohej Ministri i Mbrojtjes për rrezikim të sigurisë nacionale. Nëse kjo ka qenë kërkesë apo miratim edhe i Kryeministrit apo Presidentes, ky vend është në rrezik të madh të kalimit të veprimeve të drejtuesve më të lartë të shtetit nga politika institucionale shtetërore në parapolitikë.

Presidentja dhe Kryeministri duhet të deklarohen për arsyet e “ngarkim-shkarkimit” në FSK dhe të japin shpjegime për këto ndryshime emergjente në kreun e saj për të evituar dyshimet në funksionimin e institucioneve shtetërore me ndjeshmëri të lartë, siç është FSK-ja.