Mungesa e kuorumit në Kryesi të Kuvendit, Konjufca cakton të hënën seancë plenare

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka caktuar seancë plenare për të hënën.

Caktimi i seancës plenare për të hënën nga kryeparlementari Konjufca ka ardhur pasi Kryesia e Kuvendit nuk pati kuorum për mbajtjen e mbledhjes dhe caktimin e seancës.

Ndryshe, kjo është hera e dytë brenda një periudhe të shkurtër kohore që Konjufca shfrytëzon të drejtën për caktimin e seancës plenare.

Sot në orët e paradites ka dështuar sërish që të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës për shkak të mungesës së kuorumit.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se kjo është e papranueshme.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka akuzuar mazhorancën për papërgjegjësi për funksionim të Kuvendit.