Janë disa institucione publike në rajonin e Gjilanit të cilat punët e tyre i realizojnë me tenderë publik, andaj Prokuroria Themelore në Gjilan ka pasur punë gjatë këtij viti edhe me manipuluesit e tenderëve.
Dhjetëra tenderë realizohen çdo ditë nga institucionet publike. Si cak i hetimit të keqpërdorimit të mundshëm janë vënë disa persona në rajonin e Gjilanit, lidhur me veprën penale ‘’Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’’.
Liridona Xheladini, Zyrtare për Informim dhe Monitorim të Mediave në Prokurorinë Themelore në Gjilan nuk ka treguar se sa raste janë në hetim, por ka dhënë statika për aktakuzat e ngritura.
“Në vitin 2020 janë ngritur katër aktakuza kundër katër personave dhe nga 1 janari 25 nëntor 2021, janë ngritur katër aktakuza kundër katër personave”, tha Xheladini për lajmi.net, pa dhënë detaje tjera.
Prokuroria Themelore në Gjilan para disa ditëve ka ndaluar të dyshuarin J.M. për 48 orë pasi dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’’.
I njëjti dyshohet se si pronar i kompanisë ‘’Tribune’’, SH.P.K. përmes prezantimit të dokumentacionit të rremë, ka arritur që të shpallet fitues në një tender për renovim dhe meremetim të objekteve spitalore, në Spitalin Regjional në Gjilan. Ndaj të njëjtit Prokuroria Themelore në Gjilan do të vazhdojë me procedura të mëtejme hetimore, derisa Gjykata Themelore në Gjilan, ka pranuar propozimin e mbrojtësit të dyshuarit J.M, avokat Mustaf Musa duke e caktuar masën e arrestit shtëpiak.
Lidhur me keqpërdorimet me tenderë jo vetëm në Gjilan, por anembanë vendit është raportuar edhe më parë.
Se sa saktësisht po trajtohen siç duhet këta tenderë, mbetet të shihet në procedimin e lëndëve të cilat veçse janë në kuadër të prokurorive apo mund të ngriten më vonë.