Sveçla: Marrëveshjet me Shqipërinë lehtësojnë jetën e qytetarëve

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, thotë për KosovaPress se tri marrëveshjet e arritura me Shqipërinë, që përfshijnë dikasterin e tij do ta lehtësojnë jetën e qytetarëve në të dy shtetet.

Sveçla duke iu kundërpërgjigjur “ironisë” së kryeministrit Rama, për largim të tërësishëm të afatit kohor për lejeqëndrimin e shtetasve të dy palëve, tha se një gjë e tillë edhe mund të ndodh nëse shihet si pengesë nga qytetarët. Ai edhe zotohet për angazhim shtesë të tij në implementimin e tri marrëveshjeve.

“Janë marrëveshje të rëndësishme për qytetarët e dy vendeve. E para është kalimi i lehtësuar i kufirit për banorët e brezit kufitar. Brez ky i cili është i gjerë 30 kilometra në Kosovë dhe 30 kilometra në anën e Shqipërisë. Këtë banorët dhe shtetas të dy vendeve do të munden që me një leje kalimi të veçantë të qarkullojnë brenda kësaj zone. Marrëveshja e dytë kishte të bënte me leje të qëndrimit për shtetasit e Shqipërisë në Kosovë, për shtetasit e Kosovën në Shqipëri veçse e kanë hequr. Me këtë marrëveshje jo vetëm që lehtësohen por edhe hiqen gjitha procedurat e tanishme të cilat kanë shkaktuar telashe për shtetasit e Shqipërisë në Kosovë. Krejt çka duhet është të kenë një mjet identifikimi dhe një adresë banimi në Kosovë. Me këtë ata automatikisht fitojnë të drejtën e qëndrimit 5 vjeçar, i cili mund të vazhdohet nëse ata kanë dëshirë. Marrëveshja e tretë ka të bëjë me rikualifikimin e pikës kufitare në Shishtavec, ku nga tipi ‘c’ kalon në tipin ‘b’, kjo nënkupton punë 24 orësh dhe kalim i mallrave dhe shtetasve jo vetëm të kësaj zone edhe vendeve të treta”, thotë ai.

Ministri Sveçla, bënë të ditur se ka krijuar grupet punuese për zbatimin e dizajnimit të lejes së kalimit në kufirin në Shishtavec dhe se çështja e lejeqëndrimit te shtetase të Shqipërisë është çështje e kthimit në Prishtinë dhe vendimmarrjes.

“Absolutisht me kemi krijuar grupet punuese që po punojnë në protokollet e këtyre marrëveshjeve. Është çështje ditësh kur ne do të bëjmë dizajnimin e lejes kalimit. Në Shishtavec do të fillojë punën me njëherë dhe çështja e lejeqëndrimit është çështje e kthimit në Prishtinë dhe dhënies direktivave që edhe kjo çështje të rregullohet”, deklaron ai.

Duke u përgjigjur mbi kërkesën e kryeministrit Rama për largim të tërësishëm të afatit kohor 5-vjeçar për lejeqëndrim, Sveçla thotë se nëse është e nevojshme do ky kriter do largohen në tërësi.

“Ne nuk e kemi problematike fare këtë, edhe në marrëveshje ekziston klauzola që edhe me marrëveshje protokollare mund të ndryshohet. Nëqoftëse shohim të nevojshme dhe si pengesë do të heqin edhe afatin 5-vjeçar. Për ne me rëndësi është që shtetasit e dy vendeve mund të qëndrojnë, studiojnë dhe punojnë pa pengesa”, shton ai.

Gjatë ditës sotme në Elbasan të Shqipërisë u mbajt mbledhja e përbashkët mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë. Nga aty u nënshkruan 13 marrëveshje për avancim të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve.