Prokuroria kërkon dënimin e kosovares që kërkoi “hakmarrje ndaj Amerikës”

Në fjalën përfundimtare, në gjykimin ndaj Ikballe Berisha-Hudutit, e akuzuar për shtytje në terrorizëm, prokurori Afrim Shefkiu në seancën e së premtes, ka kërkuar dënimin e saj, ndërsa avokatja Kosovare Kelmendi lirimin e saj.

Prokurori Shefkiu, fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim si dhe ka deklaruar se qëndron pranë aktakuzës, ngase sipas tij gjatë seancave gjyqësore pa mëdyshje është vërtetuar se e akuzuara Berisha-Huduti e ka kryer veprën penale që i vihet në barrë.

Ai ka thënë se, gjendja faktike si në aktakuzë është vërtetuara nga provat materiale të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Shefkiu ka kërkuar nga gjykata që e akuzuara Berisha-Huduti të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit.

Mbrojtësja e të akuzuarës Berisha-Huduti, Kosovare Kelmendi, fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim si dhe ka deklaruar se si mbrojtje konsideron se kjo çështje ka të bëjë me një keqkuptim lidhur me një postim në rrjetet sociale, e assesi sipas saj nuk ka të bëjë me ndonjë me thirrje për hakmarrje apo çfarëdo veprimi i cili do të paraqiste veprim inkriminues, e aq më pak shtytje në terrorizëm.

Kelmendi ka thënë se e akuzuara Berisha-Huduti në mendimin e saj të lirë e ka interpretuar një ajet kuranor, e që sipas saj kurrsesi nuk ka bëjë me thirrje për hakmarrje në kuptim të shtytjes apo nxitjes për veprime terroriste.

Ajo ka thënë se në rastin konkret bëhet fjalë vetëm për ideologji fetare, e cila nuk është e ndaluar as e ndëshkueshme, por është e lejuar me Kushtetutë.

Tutje, avokatja ka deklaruar se aktakuza është ngrit më tepër për konfirmuar karshi shteteve botërore se ne e luftojmë terrorizmin dhe terrorizimi është i pa pranueshëm për popullin kosovar.

Pas kësaj, ajo nga gjykata ka kërkuar që të akuzuarën Berisha-Huduti ta lirojë nga akuza në mungesë të provave, pasi sipas saj marrja e aktgjykimit lirues është vendosje e drejtësisë.

E akuzuara Berisha-Huduti fjalën e saj përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim, si dhe e ka mbështetur fjalën përfundimtare të avokates Kelmendi.

Shpallja e aktgjykimi në këtë rast do të bëhet më 1 dhjetor 2021.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 30 shtator 2020, Ikballe Berisha-Huduti akuzohet se më 4 janar 2020, përmes rrjetit social “Facebook” kishte postuar thirrje me përmbajtje kërcënuese, duke bërë nxitje për hakmarrje pas vrasjes nga ushtria amerikane e Qassem Solejmani-gjeneral dhe udhëheqës i gardës revolucionare të Iranit dhe gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi.

Në aktakuzë thuhet se e akuzuara kishte postuar tekstin “Populli Irakian doli në rrugët e Irakut menjëherë pas krimit amerikan, për të dënuar ashpër padrejtësinë që iu bë dy figurave eminente në Irak e Iran dy gjeneralët të tyre Gjeneral Sylejmani dhe Gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi. Zoti i dasht durimin ngase të mbysësh Zotin e shtëpisë i ke mbytë tërë anëtarët e shtëpisë, e pastaj hakmarrja është obligim, por nuk ka kufi”.

Për këtë postim, PSRK po pretendon se e njëjta kishte shkaktuar rrezikun që një ose më shumë vepra të tilla të kryhen.

Më këtë veprim, PSRK-ja po e akuzon atë për kryerjen e veprës penale “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste”, nga neni 134 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.