Aksionet e paralajmëruara nga Sveçla: Konfiskohen drogë e armë, lirohen të arrestuarit

Me urdhër të Gjykatës Themelore, Policia e Kosovës ka kryer kontrolle në rajonin e Mitrovicës, ku ka gjetur dhe konfiskuar substanca narkotike dhe armë.

Policia e Kosovës ka vazhduar aksionet kundër veprimtarive të dyshuara. Në aksionin e radhës, policia ka kontrolluar 19 lokacione në Mitrovicë, ndërkaq pak ditë më herët kishte kontrolluar disa lokacione në Prishtinë është identifikuar një laborator për prodhimin e substancave narkotike.

Për aksionet e policisë ka paralajmëruar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Dje në Grashticë, sot në Prugoc, nesër…”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ndërkaq Policia e Kosovës në njoftimin për kontrollet që janë kryer të mërkurën dhe të enjten në rajonin e Mitrovicës, bëhet e ditur se nga nëntëmbëdhjetë lokacionet e kontrolluara, gjashtë janë në Mitrovicë, tetë në Vushtrri dhe pesë në Skënderaj.

“Veprimet policore po realizohen mbi bazën e pranimit te informatave për veprimtari te ndryshme te dyshuara, ku me urdhër kontroll te lëshuar nga Gjykata Themelore ne Mitrovicë, me nr. UGJK.nr.91/2021, Sektori i Hetimeve Rajonale ne bashkëpunim me njësinë e DHTN, Mitrovicë dhe NJRSH, me datat 24-25 nëntor ka kryer kontrolle në gjithsej nëntëmbëdhjetë (19) lokacione, ku prej tyre gjashtë (6) kontrolle janë kryer në Mitrovicë, tetë 8 në Vushtrri, dhe pesë (5) në Skenderaj”, thuhet në njoftim.

Tutje është bërë e ditur se në Mitrovicë janë gjetur dhe konfiskuar pushkë e fishekë si dhe sasi e konsiderueshme e substancave narkotike.

“Gjatë kontrolleve në lokacionet e ndryshme në Mitrovicë, pesë (5) persona janë kontrolluar ku gjatë kontrolleve janë gjetur dhe konfiskuar si provë materiale nga policia: një pushke automatike, një pushke gjysmë automatike, dy fishek të cal. 12GA, 3 karikator, pajisje për pastrim te armeve si dhe sasi te ndryshme të substancave narkotike”, ka njoftuar policia.

Policia ka bërë me dije se gjatë kontrolleve në Vushtrri janë kontrolluar tetë persona, te të cilët janë gjetur dhe konfiskuar substanca narkotike.

“Gjatë kontrolleve në lokacione të ndryshme në Vushtrri, tetë 8 persona janë kontrolluar dhe gjatë kontrolleve janë gjetur dhe konfiskuar si provë materiale sasi të ndryshme të substancave narkotike, dy mullinj për bluarje të substancës narkotike, letër për mbështjellës të substancave narkotike, dhe një karikator i zbrazet”, ka bërë të ditur policia.

Në Skënderaj policia ka gjetur dhe konfiskuar pushkë ajrore, municion, dhe substanca të dyshuara narkotike.

“Gjatë kontrolleve në lokacione të ndryshme në Skenderaj, pesë (5) persona janë kontrolluar dhe gjatë kontrolleve janë gjetur dhe konfiskuar si provë materiale: një pushke ajrore, një sasi e municionit, një shufër metalike me mbishkrimin “Police” dhe një përzierje e duhanit me substanca të dyshuara narkotike”, ka theksuar policia.

Të gjithë të dyshuarit janë arrestuar, por pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.

“Personat e dyshuar, tek te cilët janë gjetur dhe konfiskuar gjësendet e kundërligjshme, me urdhër te prokurorit janë intervistuar dhe ndaj tyre janë iniciuar rastet: “Mbajtje ne pronësi, kontroll ose posedim te paautorizuar te armeve”; “Posedim i paautorizuar i narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge”, ndërsa pas intervistimit të gjithë janë liruar në procedurë të rregullt”, ka bërë të ditur policia.