Mediumi maqedon: Autobusi i “Besa Trans” po transportonte 30 mijë mjete piroteknike? Rreagojnë nga Qeveria

Mediat në Maqedoni gjatë ditës së sotme kanë raportuar se në autobusin e Agjencisë Turistike “Besa Trans” që është djegur plotësisht duke lënë të vdekur 46 persona, kishte sasi të madhe të mjeteve piroteknike.

Sipas mediumit maqedon Infomax, autobusi po transportonte një sasi të madhe të lëndëve piroteknike që do të përfundonte në tregun maqedonoverior para festave të Vitit të Ri.

Siç raporton ky medium autobusi kishte edhe një magazinë të posaçme për transportim mallrash, që në këtë rast ishte mbushur me material piroteknik në sasinë e rreth 30 mijë fishekzjarreve.

Ndaj këtyre raportimeve, gjatë ditës së sotme ka reaguar edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Të njëjtat ai i quajti spekulime.

“Mendoj se tani nuk është koha të spekulojmë, sepse sërish familjet janë të lënduara, janë në gjendje të rëndë emocionale. Çdo spekulim që nuk është i konfirmuar, vetëm do ta rëndojë në mënyrë shtesë gjendjen e tyre. Tash është koha që të lënduarit të shërohen, të përfundojë identifikimi dhe hetimi të vazhdojë”, tha Osmani para spitalit në Bullgari ku po mjekohen të lënduarit nga aksidenti”, u shpreh ai.