Kthehen pajisjet e konfiskuara të Policisë së Kosovës nga Policia Serbe

Më 23 mars 2021, EULEX e lehtësoi kthimin e pajisjeve të konfiskuara në Policinë e Kosovës (PK), duke përfshirë një automjet, armët personale dhe pajisjet tjera policore.

Pajisjet në fjalë ishin konfiskuar në mars të vitit 2012, kur policët serbë, i arrestuan dy policë të Kosovës, të cilët u liruan më vonë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, EULEX-i e mbështet po ashtu Policinë e Kosovës në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar, duke e lehtësuar shkëmbimin e informacioneve ndërmjet Policisë së Kosovës dhe INTERPOL, EUROPOL apo Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë përmes kanaleve të sigurta.

Shkëmbimi i informacioneve ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë lehtësohet përmes EULEX-it, në bazë të protokollit për bashkëpunimin policor ndërmjet EULEX-it dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

Kujtojmë se, në mars të vitit 2012, dy zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës ishin arrestuar e shtrirë në tokë nga policia serbe, derisa po patrullonin në brezin kufitar me Serbinë.

Pas arrestimit të policëve Shukri Binaku dhe Sami Beqiri, ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq, kishte deklaruar se këta dy policë kishin shkelur zonën e gjelbër, me çka, sipas tij, ata edhe kishin shkelur marrëveshjen ushtarako – teknike të Kumanovës të nënshkruar nga Serbia dhe NATO më 1999, sipas së cilës në këtë brez mund të lëvizin të armatosur vetëm KFOR-i dhe forcat serbe.

Ndërsa, Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, kishte shprehur bindjen e tij se hetimet që po i bëjnë autoritetet ndërkombëtare, do të rezultojnë me vërtetimin e dëshmive të palës kosovare se policët janë arrestuar brenda territorit të Kosovës.

Për këtë kishte reaguar edhe Qeveria e Kosovës, duke e vlerësuar arrestimin një akt qyqar, në kundërshtim me vlerat evropiane të fqinjësisë së mirë, kundër bashkëpunimit rajonal dhe akt që cenon rëndë marrëveshjet e arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).

Kurse, zyra e Presidentes Atifete Jahjaga kishe thënë se arrestimi i policëve të Kosovës, në detyrë, është sulm mbi integritetin institucional e territorial të Republikës së Kosovës, duke kërkuar nga autoritetet serbe të lirojnë të arrestuarit, dhe të respektojë marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Arrestimin e këtyre dy zyrtarëve të policisë së Kosovës e kishte dënuar edhe Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës.

“Pjesëtarët e Policisë së Kosovës, në momentin e kidnapimit, kanë qenë duke patrulluar në zonën e përgjegjësisë së Policisë së Kosovës dhe në asnjë moment nuk kanë tejkaluar zonën e përgjegjësisë së tyre”, thuhej në një komunikatë për media të MPB-së.

Ndryshe, Autoritetet në Serbi kishin liruar pas dy ditëve dy pjesëtarët e policisë së Kosovës, të cilët ishin arrestuar në vijën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga policia serbe.

Policët e arrestuar i ishin dorëzuar misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX.