Pala serbe kërkon që të bisedohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa pala kosovare për të zhdukurit e luftës. Ende nuk ka takim tri palësh Kosovë-Serbi-BE.
Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë po qëndrojnë nga dita e martë (16.11) në Bruksel në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por nuk po arrihet akoma që të zhvillohet një takim tri palësh. Kjo për faktin se Beogradi dhe Prishtina kanë qëndrime të kundërta lidhur me temat që mund të diskutohen në takim. Të dy delegacionet zhvilluan takime të ndara me të ngarkuarin e BE-së në dialogun Kosovë Serbi Miroslav Lajçak. Ky i fundit në një postim në Twitter tha, se gjatë takimeve të ndara me Besnik Bislimin, kryenegociator i Kosovës, dhe Petar Petkoviq, kryenegociator i Serbisë, ka përsëritur qëndrimin e vendeve anëtare të BE-së, se “është i nevojshëm një përparim në ecurinë e dialogut”.
“Sot prita dy kryenegociatorët dhe delegacionet e tyre në takime të veçanta për çështjet e pazgjidhura dhe rrugën përpara në dialog. Unë gjithashtu i informova për Këshillin e BE-së të hënën dhe përsërita pritjet e vendeve anëtare. Është koha për përparim të vërtetë”, shkroi Lajçak në Twitter.
Çështja për të cilën palët u përplasën në Bruksel nuk është ajo e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që pala kosovare nuk pranon të jetë pjesë e agjendës së bisedimeve. Pala kosovare tha, se tema kryesore duhet të jetë ajo e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur gjatë luftës. Ndërsa, delegacioni serb doli me një komunkatë për medie, ku thuhet se ata kanë shkuar në Bruksel për të folur për Asociacionin dhe shtohet më tutje se “varet nga Prishtina nëse do të ketë takim tri palësh në Bruksel: BE – Kosovë – Serbi.
“Ne kemi ardhur të bisedojmë dhe jemi absolutisht të gatshëm për bisedime me Prishtinën. Për këtë jemi këtu. Tash në pyetje është konstruktiviteti i tyre se a do të vijë deri te takimi direkt, gjithçka varet nga Prishtina. Ne kemi ardhur në Bruksel duke u nisur nga ftesa e BE-së që sot të flasim për formimin e Asociacionit”, thuhet në komunikatën e zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë. Qeveria e Kosovës tashmë disa herë e ka theksuar, se Kushtetuta e Kosovës nuk lejon që ta themelojë Asociacionin e komunave serbe mbi baza entike.
Zyrtarisht nga Bashkimi Evropian ishte njoftuar se delegacionet e Kosovës dhe Serbisë takohen në Bruksel për të diskutuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedimet e deritashme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Dhe varësisht nga përparimet në bisedimet e delegacioneve që udhëhiqen nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i zyrës serbe për Kosovën, Petar Petkoviq, varet nëse do të ketë edhe një takim të nivelit më të lartë politik.
Një ditë më parë shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se u ka dërguar ftesë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, për një takim para fundit të vitit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se takimi që është paralajmëruar me presidentin e Serbisë, do të varet edhe nga suksesi i takimeve të negociatorëve në Bruksel.
“Dhe në anën tjetër, sa mirë do të arrijmë ta përgatisim takimin e tretë midis nesh. Ne kemi shfaqur rregullisht gatishmërinë tonë për dialog parimor nga i cili përfitojnë qytetarët dhe jo politikanët, politikanët janë për të shërbyer e jo për të përfituar, e që e ka në qendër të saj njohjen reciproke”, tha kryeministri Kurti.
Sa i përket Asociacionit, Kurti tha se “Asociacioni i komunave serbe si institucion mono-etnik nuk është në përputhje as me frymën dhe germën e Kushtetutës së Kosovës dhe Kushtetutën duhet ta ndryshojë Serbia ku shkruan që Kosova është pjesë integrale e Serbisë”.
Të hënën (15.11) ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, thanë se presin që Prishtina dhe Beogradi të përmbushin marrëveshjet e arritura në bisedime, ndërsa shfaqën shpresën se palët do të përkushtohen drejt hapave për një marrëveshjeje finale gjithëpërfshirëse, që është edhe kusht për integrimet evropiane të Kosovës dhe Serbisë.