Euractiv, një media me qendër në Bruksel dhe që ka në fokus të saj zhvillimet në Bashkimin Evropian ka raportur për ftesën që presidenti amerikan, Joe Biden i bëri Kosovës për të marrë pjesë në Samitin për Demokraci.
Pas një jave spekulimesh, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani konfirmoi se Kosova ishte e ftuar në Samitin e ardhshëm për Demokraci.
“Të hënën (15 nëntor), Osmani konfirmoi se do të përfaqësonte vendin së bashku me më shumë se 100 të tjerë, pas njoftimeve fillestare të mediave se ata nuk ishin në listën e të ftuarve. Ajo tha se do t’u mundësonte atyre të demonstrojnë shembullin e shkëlqyer të Kosovës të përparimit me liri dhe demokraci”, shkruan Euractiv.
Samiti, i organizuar nga presidenti Biden, do të zhvillohet online midis 9-10 dhjetor 2021. Ai do të bashkojë liderët botërorë, anëtarët e shoqërisë civile dhe palët e interesuara nga sektori privat për të trajtuar kërcënimet ndaj demokracisë në nivel global, njofton Klankosova.tv.
Ishte shefja e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila të hënën njoftoi se gjatë javës së shkuar sa ka qëndruar në Washington është njoftuar se Kosova do të jetë pjesë e këtij Samiti.
Osmani me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka shtuar se është e nderuar për të pranuar këtë ftesë nga Biden.
“Falënderoj Presidentin Biden për ftesën në Samitin për Demokraci të organizuar nga Shtëpia e Bardhë si dhe vlerësimin për partneritetin e ofruar nga Kosova për të punuar drejt fuqizimit të shoqërisë demokratike që respekton të drejtat e njeriut, të cilat ia mundësojnë secilit qytetarë ta përmbush potencialin e vet”.