“Forbes” për vizitën e Grenellit: Partizani i Trumpit u dërgua për t’i adresuar tensionet Kosovë-Serbi

Magazina e njohur “Forbes” ka raportuar për vizitën që ish-emisari Richard Grenell ka realizuar në Kosovë si dhe komentin e ish-presidentit Trump në lidhje me të.

“Forbes” duke cituar fjalët e Trumpit i cili vazhdoi ta cilësojë Grenellin si “ambasador të dërguar”, shkruan se ish-presdenti amerikan po bën një “diplomaci në hije”.

Sipas “Forbes”, Trump dërgoi Grenellin në Kosovë për të adresuar tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, që arritën pikën kulminante pas një operacioni të policisë në veri kundër kontrabandës.

“Ish-presidenti Donald Trump tha të enjten “Ambasadori i tij i dërguar” Ric Grenell – një ish-ambasador dhe partizan i vendosur i Trump-it – vizitoi kufirin Serbi-Kosovë në një përpjekje për të promovuar paqen midis dy vendeve, në atë që duket të jetë një mision i politikës së jashtme në në emër të ish-presidentit”, shkroi “Forbes”.

“Forbes” tutje ia ka kujtuar Trumpit edhe kritikat e tij ndaj ish-zyrtarëve të administratës së Obamas për “diplomacinë në hije”.

“Ndërsa ishte president, Trump ishte shumë kritik ndaj ish-zyrtarëve të administratës Obama që angazhoheshin në atë që ai e quajti “Diplomaci në hije”. Në vitin 2018, ai sulmoi ish-Sekretarin e Shtetit John Kerry për takimin me zyrtarët iranianë në një përpjekje për të ruajtur marrëveshjen bërthamore të Iranit të vitit 2015, duke thënë se veprimet e Kerry ishin “ndoshta të paligjshme”. Trump njoftoi më 8 maj 2018 se SHBA po tërhiqej nga marrëveshja”, shkruhet tutje në artikull.

Ndryshe, ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka lëshuar dje një deklaratë lidhur me vizitën e të dërguarit të tij, Richard Grenell në Kosovë.

Trump thotë se populli i Kosovës dhe ai i Serbisë kanë kapërcyer pengesa të mëdha duke përcjellë normalizimin ekonomik.

Ajo që ka shkaktuar më së shumti reagime është fakti se Trump në këtë letër i referohet Grenellit si ambasador i tij.

“Sot, i Dërguari im Ambasadori Rich Grenell vizitoi kufirin Kosovë-Serbi për të theksuar këtë marrëveshje të rëndësishme. Ashtu siç dëshmuam në Lindjen e Mesme me Marrëveshjet e Abrahamit, paqja dhe normalizimi ekonomik është i mundur, por kërkon një përpjekje të sinqertë dhe udhëheqje të palëkundur. Paqja është e mundshme, mos u dorëzo – prosperiteti afatgjatë për këto dy kombe është në pikëpyetje!”, thuhet tutje në deklaratën e Trump.