Shoqëria civile i kërkon SHBA-së të shqyrtojë thirrjen e Kosovës në Samitin për Demokraci

Një grup i organizatave joqeveritare nga Kosova, ka kërkuar përmes një letre që, Shtetet e Bashkuara të shqyrtojnë thirrjen e Kosovës për të marrë pjesë në Samitin për Demokraci, të organizuar më 9 dhe 10 dhjetor nga presidenti amerikan, Joe Biden.

Radio Evropa e Lirë ka siguruar letrën nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, e cila i është dërguar Zëvendësndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, njëherësh të dërguarit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Koordinatores për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Shanthi Kalathil, në të cilën kanë dhënë arsyet e tyre pse Kosova do të duhej të ishte pjesë e kësaj iniciative.

Vërtetësinë e kësaj letre e ka konfirmuar njëri nga nënshkruesit e saj, Agon Maliqi, kryetari i bordit të platformës jofitimprurëse, Sbunker.

“Ne jemi të vetëdijshëm për kontekstin delikat të sigurisë në Ballkan, që prodhon ndarje të thella etnike dhe shpesh paqëndrueshmëri. Megjithatë, duke pasur parasysh përparimin e vazhdueshëm që Kosova ka bërë gjatë viteve për të ndërtuar demokraci, por edhe raportet e posaçme mes popullit të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara, ne besojmë se Kosova meriton të jetë pjesë e kësaj iniciative strategjike dhe do të përfitonte nga e njëjta”, thuhet në letër.

Sipas një liste të publikuar nga Politico, nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, në këtë samit, nuk është ftuar as Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Në anën tjetër, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë ftuar.

Lista e të ftuarve ende mbetet në nivel informacionesh jozyrtare.

Organizatat e shoqërisë civile kanë potencuar se Kosova është një prej shteteve në rajon që është e shqetësuar për autoritarizmin keqdashës si dhe ndikimin e Kinës dhe Rusisë.

“Ne po ashtu e kuptojmë, dhe në disa raste ndajmë zemërimin që SHBA-ja ka me elitat politike të Kosovës, megjithatë ne nuk arrijmë të shohim ndonjë dallim në raportet SHBA-Kosovë që janë thelbësisht kondratiktore, që do të bënte që Kosova të meritonte përjashtimin nga kampi botëror pro-demokracisë. Ne besojmë fuqishëm që pjesëmarrja e Kosovës në samit do të ndihmonte në avancimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në shtetin tonë dhe do të fuqizonte përpjekjet tona për t’i mbajtur përgjegjëse institucionet. Prandaj, ne shpresojmë që Qeveria amerikane do të jetë e gatshme ta rishqyrtojë këtë vendim”, thuhet mes tjerash në letrën e organizatave joqeveritare.

Nënshkruese të kësaj letre, dërguar zyrtarëve të lartë amerikanë, janë Grupi i Ballkanit për Politika, Forumi i Ballkanit, Demokracia Plus, Demokracia për Zhvillim, Instituti i Kosovës për Politika Evropiane, Instituti GAP, Fondi për të Drejtën Humanitare, Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, Instituti Demokratik i Kosovës, Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, Rrjeti i Grave të Kosovës, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Lëvizja FOL, Organizata Çohu, Instituti i Prishtinës për Studime Politike, Sbunker, Inciativ dhe Donika Emini, anëtare e Grupit Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit.

Mirëpo shoqëria civile në Kosovë nuk është e vetmja që është shqetësuar për mospërfshirjen e këtij vendi në Samit.

Sipas një raporti të agjencisë së lajmeve, Reuters, ka edhe vende tjera që kanë shprehur pakënaqësinë me listën e të ftuarve, e cila i është konfirmuar kësaj agjencie nga një zyrtar i lartë amerikan, i përfshirë në planifikim.

Sipas tij, ftesat u janë dërguar vendeve që kanë përvoja të ndryshme me demokracinë, dhe nuk ka të bëjë me etiketimin e një shteti nëse është demokratik apo jo.