Kombëtarja e Kosovës do zhvillojë dy ndeshje këtë muaj.
Nesër, “Dardanët” e presin Kombëtaren e Jordanisë në miqësore, pastaj katër ditë më vonë, jemi mysafirë i Greqisë në Athinë.
Por, sa janë të rëndësishme këto dy ndeshje, duke marrë parasysh që veçse jemi eliminuar nga kualifikimet për Kupën e Botës?
Lajmi.net, ka kontaktuar dy analistët e njohur Arbnor Morina dhe Arben Zeqiri që dhanë mendimin për këto dy takime të nëntorit.
Ish trajneri i disa klubeve elitare, tani në stolin e Ferizajit, Arbnor Morina tha se këto dy ndeshje janë shumë të rëndësishme, shkaku i ranglistës së FIFA-së dhe UEFA-së, ngase do rritet edhe koeficienti, derisa duhet të tregojmë se jemi ekip seriozë.
“Unë mendoj që janë shumë të rëndësishme, edhe pse faktikisht jemi të eliminuar, duhet me bë më të mirën për të mbledhur pikët për ranglistën e FIFA-së dhe UEFA-së për renditjen e Kombëtareve edhe çdo pikë është e mirëseardhur sepse në bashkëveprim me ndeshjet e skuadrave që po luajnë në Evropë, atëherë rritet koeficienti”.
“Ne çdo kundërshtari duhet të t’i tregojmë se jemi ekip dinjitozë dhe shumë seriozë dhe shpresojmë në rezultat pozitiv. Me grekët ka me qenë lojë e vështirë, ndërsa loja miqësore mundet me i ndihmu selektorit për diçka tjetër”, deklaroi Morina.
Ndërsa, njohësi i futbollit, Arben Zeqiri për lajmi.net, u shpreh se në këto dy takime duhet të ishin ftuar me shumë futbollistë të rinj.
“Të rëndësishme vetëm për prestizë dhe promovimin e lojtarëve, ndonjë talenti, që kemi edhe në Kosovë edhe në Evropë. Është dashur lojtarë të ri me perspektivë që janë premtues për të ardhmen. E kam parë listën janë ftuar kryesisht futbollistët e njëjtë, nuk pres diçka të jashtëzakonshme, por atë që e ka lënë Challandes dhe zëvendësi i tij me gjasë do e vazhdojë. Këto dy ndeshje, do kryhen formalisht dhe në të ardhmen të ulën krerët e FFK-së për të bërë një zgjidhje”.
“Një selektor me shumë autoritet, po dëgjoj që Felix Magath është më së afërmi edhe me ndryshuar rrënjësisht qasja ndaj futbollistëve që janë në formë, është dashur të ftohet Ermal Krasniqi i Ballkanit, është i ri në moshë, premtues për t’u shitur në të ardhmen dhe duhet t’i dhënë rasti sidomos në Jordaninë, që është ndeshje për me promovuar një lojtar si Krasniqi, siç ka qenë rasti i Dakut. Për ndryshe, lojtarët që janë vazhdimisht, ndaj Jordanisë nuk i kisha fut fare në lojë edhe i kisha lënë me Greqinë, që të paraqiten me dinjitet, për mos u dëshpëruar në rezultat”, nënvizoi Zeqiri.
Ndërkohë, Kosova nesër përballet me Jordaninë në “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 18:00.