Familja e të ndjerit Luan Berisha, po e konsideron të pamatur deklarimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, transmetuar mbrëmë në edicionin e lajmeve në Klan Kosova, ku i thoshte kryeministrit Kurti dhe kryeparlamentarit Konjufca se ‘’Luan Berisha u vetëvra’’.
Avokati i familjes së të ndjerit, Flakron Sylejmani, thotë se deklarimet e tilla janë të dëmshme dhe vetëm sa e komplikojnë hetimin e drejtë dhe të pandikuar.
”Unë si avokat por edhe familja e të ndjerit Luan Berisha një deklarim të tillë e vlerësojmë të pamatur të dëmshëm dhe joprofesional. Konsiderojmë se deklarimet e tilla publike të zyrtarëve shtetërorë e në veçanti të Ministrit të Punëve të Brendshme, për rastet që janë ende në fazën e hetimeve nuk i kontribuojnë hetimit profesional dhe të pavarur si dhe zbulimit të veprave penale dhe kryesve të tyre”, tha ai për KlanKosova.
”Deklarimet e tilla vetëm sa e komplikojnë dhe e vështirësojnë një hetim të drejtë dhe të pa ndikuar, veçanërisht kur një Ministër merr guxim për të bërë kualifikimin ligjor të një vepre. Kjo është kompetencë ekskluzive e organit të akuzës, përkatësisht e prokurorit të rastit. Si përfaqësues i familjes ftoj të gjithë, pa dallim, që të përmbahen nga deklarimet lidhur me rastet të cilat janë në fazën e hetimeve për shkak të ndjeshmërisë qe këto raste kanë dhe për shkak të dëmit që mund t’i shkaktojnë familjarëve”.
”Po ashtu, ftojmë Prokurorin e Shtetit që të reagoj ndaj një deklarate të tillë dhe të mos lejoj që cilësia e hetimeve të ndikohet nga deklarimet politike të zyrtarëve shtetëror apo cilitdo person tjetër”, thuhet në reagimin e avokatit Flakron Sylejmani.