Vitia tregon se a do kthehet si ministër nëse i humb zgjedhjet në Prishtinë

Ish-ministri i shëndetësisë, tashmë kandidat i LV-së në garë për Prishtinën, Arben Vitia ka hedhur poshtë zërat se arsyeja pse Ministria e Shëndetësisë po vazhdon të mos ketë një ministër të ri, pasardhës të tij, ka të bëjë me pasigurinë nëse do të dal fitues apo jo, në Prishtinë.

Sipas tij, gjatë tri javëve të fundit, para se të jepte dorëheqje, është përgatitur për fazën e tranzicionit që gjithçka t’i pasohet zëvendësministres së shëndetësisë, Dafina Gexha – Bunjakut, për të cilën thotë se ka përcjellë çdo rrethanë të pandemisë dhe se ka qenë në çdo vendim që është marrë në raport me pandeminë.

“Zëvendësministrja Gexha ka qenë e vetmja që ka qenë në proces dhe ka siguruar vazhdimësinë e gjithë këtij procesi. Natyrisht që në asnjë rrethanë, unë nuk kam mundur dhe as nuk ia kam lejuar vetes, pavarësisht se më është kërkuar edhe nga disa persona në Lëvizjen Vetëvendosje që të largohem më herët (nga posti i ministrit), sepse e kam ditur që do të penalizohem vetëm me dy javë fushatë, mirëpo ka qenë e domosdoshme që kur të dal nga Ministria e Shëndetësisë, numrat o’ të jenë të ulët ashtu siç ishin, mirëpo edhe sipas standardeve të OBSH-së dhe të ECDC-së, situata me pandeminë të jetë në kontroll,” – është shprehur ai në “Context”.

Vitia bëri të ditur se nuk ka një Plan B për t’u rikthyer si ministër i shëndetësisë, gjersa shtoi se është qind për qind i fokusuar në fushatën për Prishtinën.

“Çdo punë që e kam bërë i jam përkushtuar deri në sekondën e fundit që e kam bërë në atë punë. Në momentin që kam dhënë dorëheqjen, nuk ka Plan B më për t’u kthyer në Ministrinë e Shëndetësisë. Ata që më njohin, e besoj më njohin edhe qytetarët, misioni im në Ministrinë e Shëndetësisë ka mbaruar. Tani jam qind për qind dhe plotësisht i fokusuar në fushatën për Prishtinën dhe mendoj se ashtu do të jem i fokusuar në secilën detyrë, sepse kështu mendoj se mund të shtyhen gjërat përpara,” – u shpreh tutje Vitia në ATV.

Ai me anë të një konference për media, më 1 tetor të këtij viti, pat njoftuar dorëheqjen e tij nga pozita si ministër i shëndetësisë duke i hapur vetes rrugën për të kandiduar për të parin e Prishtinës.

Gjatë zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, ai arriti të grumbullojë mbi 42% të votave në garë për Prishtinën, çka e çoi kryeqytetin në balotazh. Tani ai do të garojë me kandidatin e LDK-së, Përparim Ramën, i cili mori mbi 29% të votave.