Autoritetet turke kanë nisur një hetim ndaj 30 personave të cilët akuzohen se kanë postuar dezinformata në rrjetet sociale për shëndetin e presidentit, Recep Tayyip Erdogan. Policia turke tha se këta persona kanë postuar “përmbajtje manipuluese” në rrejtin social Twitter duke përdorur hashtagun #olmous (i vdekur).
Ky hashtag filloi të përdorej derisa spekulimet për shëndetin e Erdoganit janë në rritje. Bashkëpunëtorët e tij janë munduar të shuajnë këto spekulime duke shpërndarë imazhe të aktiviteteve të tij.
Spekulimet për shëndetin e tij kanë qarkulluar prej vitesh. Politikanët rivalë që kundërshtojnë qeverinë e Erdogani shpesh e kanë vënë në pikëpyetje shëndetin e Presidentit.
Erdogan, 67 vjeç, iu nënshtrua një operacioni në zorrë në vitin 2011. Në vazhdimësi, presidenti turk ka mohuar raportet se kishte kancer.
Të mërkurën, Erdogan mori pjesë në disa ngjarje në kryeqytetin Ankara për të shënuar 19 vjetorin e ardhjes në pushtet të partisë së tij konservatore.
“Shefi ka mbërritur nga Stambolli në Ankara. Ai është shumë i shëndetshëm”, shkroi një anëtar i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim ( AKP), Ahmet Hamdi Camli.
Mediat turke thonë se spekulimet për shëndetin e zotit Erdogan u nxitën nga një video që tregonte presidentin duke ecur me vështirësi të premten e kaluar.
Muajin e kaluar, kur spekulimet për shëndetin e Erdoganit morën hov, zyra e tij për komunikim postoi një video të presidentit duke luajtur basketboll.
Erdogan shpesh shfaqet në publik dhe mban shumë fjalime në ditë. Së fundmi ai udhëtoi në Afrikë për një turne tre-ditor, si dhe në Romë për samitin e G20-ës të liderëve botërorë.
Erdogan e ka dominuar politikën turke për dekada. Ai ishte kryeministër nga viti 2003 deri më 2014. Ndërsa postin e presidentit e mban që nga viti 2014.
Zgjedhjet e ardhshme presidenciale turke do të mbahen në vitin 2023.