“Masa pa sens” – Kërkohet heqja e orës policore dhe maskës në ambiente të hapura

Infektologu Ilir Tolaj thotë se Kosova është në një situatë jashtëzakonisht të volitshme dhe stabile epidemiologjike. Në anën tjetër, sipas tij nuk mund të presim që një ditë do të zgjohemi pa e pasur asnjë rast pozitive me COVID-19.

“Tani ajo që është jashtëzakonisht e rëndësishme është që ta mbajmë situatën nën kontroll. Në të njëjtën kohë të vazhdojmë me vaksinimin në mënyrë masive, duke përfshirë edhe fëmijët duke e paramendu edhe eventualisht dozën e tretë në të ardhmen, në mënyrë që sa më shumë popullatë të jetë e mbrojtur.” u shpreh Tolaj në emisionin Ora Shtatë të Klan Kosovës.

Infektologu thotë se lirimi i pa kontrolluar i masave para pushimeve verore e solli valën e pandemisë në Kosovë më herët sesa në vendet e tjera. Ai shpjegon se pavarësisht nga masat që merren pandemia është e pamundur të kontrollohet në tërësi derisa populli nuk ka një nivel mbrojtës.

“Disa nga masat janë totalisht të paarsyeshme, si për shembull mbajtja e maskave në ambiente të hapura, nuk ka ndonjë logjik aspak, kur në një ambient të mbyllur të gjithë i heqin ato maska. Ose ora policore nuk ka asnjë sens. Ose masat të cilat është vështirë me i përmbushë ose me i kontrollu në vendet që nuk kanë ndonjë sistem të fortë, siç është Kosova.”

“Autoritete shëndetësore dhe politike të Kosovës duhet të kenë masa të cilat do të pengojnë rritjen, shtimin e numrit të pa kontrolluar të rasteve COVID. Në të njëjtën anë të sigurojnë funksionimin normal të aktiviteteve kryesore, bazike jetësore. Disa prej atyre aktiviteteve që janë identifiku se janë përhapës ose janë aktivitete të volitshëm ku përhapet virusi shpejtë, ato duhet të mbahen edhe për një kohë nën kontroll.”

Tolaj shpjegon se masat në vend duhet të jenë më të thjeshta, më lehtë të pranueshme dhe që mund të mbikqyren.