Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria po vuan pasojat e vendeve të mëdha që, sipas tij, janë edhe ato që ndotin më shumë planetin.
Në fjalën e tij në Samitin e Klimës, që po zhvillohet në Glasgow të Skocisë, Rama tha se Shqipëria është një vend jondotës, por ka nevojë për ndihmën e shteteve të mëdha për të përballur krizën energjetike.
“Ndoshta jam më i gjati këtu, por vij nga një prej vendeve më të vogla, Shqipëria. Në mbledhje të tilla ne na thonë se çfarë të bëjmë, të dëgjojmë e të mbajmë shënim. Por ende nuk mora përgjigje për pyetjen që kisha para se të vija këtu. Si kanë ndërmend të na ndihmojnë ndotësit e mëdhenj neve, një vend jondotës. Po, po, një vend jondotës”.
“Prodhimi ynë i energjisë bazohet 100% në energji hidrike, 100% të rinovueshme. Mund t’i kishim pranuar të gjitha ofertat për termocentrale për të kompensuar nevojat në muajt e thatësirës. Kështu që vendi im pyet, mos po paguajmë për shkak se po bëjmë gjënë e duhur?! Besoj se do të marrim financime për të luftuar këtë ngërç. Këto financime nuk duhet të vijnë në formën e huave, që do të na fusin në një spirale borxhesh, por në formën e granteve, që do të na fuqizojnë për të investuar”, tha Rama.