Nga 70 milionë eurot e premtuara për “Trepçën”, për vitin 2022 janë planifikuar vetëm 3 milionë

Janë vetëm tre milionë euro që janë planifikuar në Projektligjin e Buxhetit të Kosovës për vitin 2022, teksa nga Qeveria e Kosovës është thënë që për vitet 2022-2023 do të investohet 70 milionë euro.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka vënë fokusin në ngritjen e ndërmarrjes publike “Trepça”. Vizitat atje, hapja e terminalit dhe premtimet për investime janë disa nga zhvillimet që bashkojnë Kurtin dhe “Trepçën”.

Në një vizitë që kishte bërë më 20 tetor në “Trepçë” bashkë me ministren e Ekonomisë, njëherësh ministri e linjës për ndërmarrje publike, Artane Rizvanolli, premtimet nuk munguan. Aty u tha se për dy vjetët e ardhshëm investimet në “Trepçë” do të jenë 70 milionë euro, raporton “Zëri”. Por, në Projektligjin për Buxhetin e vitit 2022 çështja qëndron ndryshe në planifikim, jashtë Fondit Sovran që është përmendur e për të cilin nuk ka shifra.

Kodi i Ministrisë së Ekonomisë 213, me kod të programit 22800 dhe nënkod 0441 në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm ka Minierën e “Trepçës”. Aty janë ndarë vetëm tre milionë euro në Kategorinë e subvencioneve dhe transfereve. Për më shumë, në projeksionet për vitin e ardhshëm 2023 shifra e subvencioneve është po aq, 3 milionë euro.

Nëse kthehemi ndër vite dhe shohim ndarjen e buxhetit për Minierën e “Trepçës”, ka vite kur buxheti ishte më i madh.

Në 2017-n për këtë minierë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik ishin ndarë në total 4,817,870 euro, prej të cilave për subvencione 3,082,870 euro.

Në 2018-n, për të njëjtën minierë, nga burimi i njëjtë ishin ndarë 4,817,870 euro për subvencione dhe transferime.

Në vitin 2019 Miniera e “Trepçës” kishte marrë nga Qeveria e Kosovës subvencion prej 4,817,870 eurosh, njëjtë sikur një vit më parë.

Në 2020-n ishte një buxhet prej 3,522,870 eurosh që ka shkuar nga buxheti i Kosovës. Por, në fund të atij viti prej gjendjes jo të mirë të ndërmarrjes ishin detyruar t’i ndanin edhe 1.1 milion euro për të paguar pagat e punonjësve.

Në këtë vit, 2021, në buxhetin e Kosovës kanë qenë të ndara 3,000,000 euro.

“Trepça” konsiderohet si një prej aseteve kryesore të ekonomisë së vendit, nëse rikuperohet dhe fillon të punojë me kapacitete të plota. Një gjë e tillë nuk është e lehtë për shkak të amortizimit të mjeteve teknike dhe atje nuk shumica e xehes shitet si koncentrat i papërpunuar.