Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar lidhur me lajmin e publikuar në media se njëri nga dy zyrtarët rusë të shpallur non-grata në Kosovë është parë në Prishtinë.
Sipas MPJD-së, asnjëri prej tyre nuk është nga zyrtarët e Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë, të cilët u shpallën persona non-grata ditë më parë, shkruan lajmi.net.
Ky është reagimi i plotë:
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), njofton opinionin publik se lajmi që po qarkullon në disa media online lidhur me zyrtarin rus të shpallur person non-grata që kinse është parë në Prishtinë, është i pavërtetë.
Personi që është ekspozuar në media nuk është asnjëri nga zyrtarët e Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë, të cilët u shpallën persona non-grata ditë më parë nga MPJD-ja.
MPJD, është në favor të informimit të drejt dhe të saktë dhe është e përkushtuar për të shmangur keqinformimin e audiencës.