Agjencia e Punësimit kërkon t’i punësojë 100 praktikantë me pagesë në Administratën Tatimore të Kosovës

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) do të pranoj 100 punëtorë për t’u angazhuar si praktikantë për gjashtë muaj.

Kjo gjë është mundësuar pas një marrëveshje të ATK-së me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transferëve (MFPT) dhe Agjencisë së Punësimit (APRK).

“Ministria e Financave, Punës dhe Transferëve (MFPT), Agjencia e Punësimit (APRK) dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) kanë nënshkruar Marrëveshjen e Bashkëpunimit për angazhimin e 100 personave në praktikë profesionale në Administratën Tatimore të Kosovës, angazhimi i tyre është për gjashtë (6) muaj me pagesë”, thuhet në njoftim.

Agjencia kërkon nga të gjithë punëkërkuesit e interesuar që të vizitojnë ueb faqen e APRK ose Zyrat e Punësimit në komunën respektive për t’u pajisur me më shumë informata rreth punësimit, kritereve dhe mënyrës së aplikimit.

Afati i aplikimit është deri më 08 nëntor, ora 16:00.Gjatë muajit shtator, ministri Hekuran Murati kishte njoftuar që me qëllim të zbatimit të masave të parapara në kuadër të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike nga pandemia COVID-19, në ATK do të punësohen rreth 100 punëtorë të rinj.

“Synimi ynë është që të gjithë punëtorët të pajisen me kontrata, nuk e përjashtojmë mundësinë që punëdhënësit t’i pajisin me kontrata tjera. Për t’u siguruar që të zbatohet kjo gjë, ne kemi paraparë shtim të kapaciteteve në Administratën Tatimore, më saktësisht bëhet fjalë me rekrutim të rreth 100 personave shtesë, që do të merren saktësisht vetëm me këtë punë”, kishte thënë Murati.