Sot në mbrëmje në kryeqytet është bërë inaugurimi i fushës me bari sintetik në stadiumin e KF “Rilindja”, projekt i cili është mbështetur nga Federata e Futbollit e Kosovës. Në ceremoninë e inaugurimit ishte edhe presidenti Agim Ademi, i cili pasi e preu shiritin inagurues së bashku me drejtuesit e klubit dhe zyrtarët komunal dhe të ministrisë së sportit, i përgëzoi drejtuesit e këtij klubi dhe të gjithë futbollistët dhe futbollistet që janë pjesë e Rilindjes, duke uruar që të kenë sa më shumë suksese në të ardhmen. “Është kënaqësi të jem sonte këtu për inaugurimin e kësaj fushe në një ambient kaq të mirë. Jam i lumtur që si FFK po arrijmë t’i ndihmojmë klubet për krijimin e kushteve sa më të mira. Duke pasur parasysh numrin e madh të talenteve që gravitojnë në këtë klub dhe zhvillimin e shumë turneve prestigjioz që zhvillohen në këtë fushë e kemi parë të arsyeshme si FFK që ta ndihmojmë KF Rilindja për rinovimin e kësaj fushe. Shpresoj se tash e tutje do të ketë edhe më shumë punë, profesionalizëm e zhvillim të talenteve. Si president i FFK-së këto projekte edhe pse janë madhore nuk i shoh si diëka të jashtëzakonshme, ngase mendoj se infrastruktura dhe baza materiale janë të domosdoshme për zhvillimin e këtyre talenteve. Është mëkat që nuk i kemi pasur më herët këto fusha, por ne do të vazhdojmë të mbështesim ndërtimin e fushave të tilla në të gjitha regjionet, në mënyrë që shkollat dhe klubet e futbollit ta zhvillojnë aktivitetin e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë presidenti Ademi. E kryetari i KF “Rilindja”, Fadil Gashi theksoi se këtij investimi kapital iu kanë gëzuar të gjithë në klub, e veçmas fëmijët të cilët e kanë pritur me padurim ditën e rikthimit në këtë fushë tashmë moderne. Ai shprehu mirënjohje për presidentin Ademi dhe FFK-në për mbështetje në ndërtimin e kësaj fushe, si dhe qeverisjen komunale dhe të gjithë ata që në forma të ndryshme kontribuojnë në organizimin e këtij klubi. Punimet në ndërtimin e kësaj fushe janë të nivelit të lartë dhe tash e tutje talentet e shumta të këtij klubi në të dyja konkurrencat do të kenë mundësi që t’i shfaqin vlerat e tyre në kushte ideale.