​PDK dhe AAK deklarohen për respektim të masave antiCOVID-19 gjatë balotazhit

PDK dhe AAK do të respektojnë gjitha masat anti-COVID 19 gjatë fushatës zgjedhore për balotazhin më 14 nëntor.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se e tërë fushata për balotazhin do të organizohet në përputhje të plotë me masat dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK).

“PDK do t’i respektojë masat që rekomandohen nga IKSHPK dhe Ministria e Shëndetësisë. Do t’i respektojë këto masa në plotësi, ashtu kemi vepruar në gjitha rastet, në përjashtim të ndonjë rasti të vogël gjatë fushatës së kaluar. Tash normalisht se do t’i respektojmë masat. Aq sa është e paraparë për t’u mbledhur brenda dhe në hapësira jashtë. Fushata do të organizohet në përputhje të plotë me masat që merren dhe rekomandohen nga IKShPK”, tha ai.

Qëndrim të njëjtë shprehu edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se do t’i respektojnë edhe gjitha afatet e përcaktuara nga KQZ-ja.

“Sa i përket fushatës zgjedhore ne do t’i respektojmë gjitha afatet që janë të përcaktuara nga KQZ-ja. Ne jemi në disa komuna në balotazh, në disa komuna veçse janë lidh disa koalicione. Aty ku jemi në balotazh luftojmë e fitu, aty ku jemi në përkrahej të njërit të kandidatëve do t’iu rrimë besnik qysh i rrimë çdo procesit politik”, shtoi ai.

Këto qëndrime dy zyrtarët partiak i dhanë në konferencën për medie, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.