Belgjika rikthen kufizimet anti-Covid

Vetëm pak javë pas lehtësimit të masave, Belgjika ka vendosur të rikthejë kufizimet në vend pas rritjes së rasteve pozitive me koronavirus dhe shtrimeve në spital.

Qeveria do të bëjë të detyrueshme sërish mbajtjen e maskave në ambientet e brendshme dhe u kërkon qytetarëve të jenë më të kujdesshëm. Autoritet bënë me dije se se nuk do të ketë kufizime për shumicën e aktiviteteve por njerëzit do të duhet të paraqesin certifikatën shëndetësore. Rregullat e reja pritet të hyjnë në fuqi nisur nga kjo e premte.

“Mbajtja e një maske nuk është gjithmonë diçka shumë komode, por është një metodë shumë e dobishme dhe efektive në parandalimin e transmetimit të virusit”, tha Kryeministri Alexander De Croo në një konferencë për shtyp.

De Croo deklaroi se pa vaksinat gjendja në spitale do të ishte tejet dramatike.

Aktualisht në Belgjikë dozat përforcuese të vaksinave COVID-19 janë në dispozicion vetëm për individët me sistem imunitar të dobët dhe nuk ofrohen për të gjithë popullsinë.

“Associated Press” raportoi se gjatë javës së fundit se infeksionet ditore janë rritur me 75% ndërsa shtrimet në spital janë rritur me 69% .