Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i ka shprehur ngushëllimë familjes së regjisores Burbuqe Berisha, e cila vdiq sot në vendin e punës në objektin e kësaj ministrie ku edhe punonte.
Në njoftimin e MKRS-së thuhet se regjisorja ka ndërruar jetë papritur gjatë ditës së sotme në objektin e Ministrisë së Kulturës.
“Me pikëllim ju njoftojmë se sot në mesditë në Ministrinë e Kulturës papritmas ka ndërruar jetë regjisorja e filmit dhe teatrit Burbuqe Berisha. Jemi thellësisht të prekur nga kjo ngjarje dhe u shprehim ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë komunitetit artistic”, thuhet në njoftim.
Tutje, është dhënë edhe një profil i veprimtarisë së saj.
“Burbuqe Berisha ishte regjisore e një numri të konsiderueshëm të filmave të shkurtër, të gjatë, dokumentarë, serive televizive, shfaqjeve teatrore dhe fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter vendor e ndërkombëtar.
Berisha në vitin 2019 mori çmimin kombëtar për kinematografi.
Ajo ka punuar si menaxhere në Kino ABC në Prishtinë, si producente në Kosova Film, po ashtu ishte drejtoreshë e përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe anëtare e Këshillit Drejtues të QKK-së, si dhe të Ansamblit “Shota”.
Së fundi ishte pjesë e përgatitjes së regjisë për koncertin inaugurues të Operës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e ministrisë.