Albin Kurti, në një paraqitje televizive në Kohavizion në vitin 2014 kishte shpalosur detajet e programit qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje, ku kishte thënë se me ardhjen e partisë së tij në qeverisje, çmimet e produkteve elementare ushqimore si buka, sheqeri, qumështi dhe vaji do të ulen konsiderueshëm, ndërsa lluksi do të shtrenjtohej.
Kurti asokohe thoshte që produktet të cilat janë nevojë elementare do t’iu heqet TVSH-ja, ndërsa “lluksit” do t’i rritej TVSH-ja.
“TVSH bëhet zero për gjërat elementare ushqimore. Buka me Lëvizjen Vetëvendosje në qeverisje nga 36 cent, që është mesatarja për çmimet e muajit shkurt për vitin 2014, bëhet 31 cent. Sheqeri nga 72 cent kilogrami bëhet 62 cent. Qumështi nga 91 cent mesatarisht bëhet në 78 cent. Vaji nga 1 euro e 23 cent, bëhet në 1 euro 6 cent. Sepse ne duam që nevojave elementare t’ua heqim TVSH-në dhe t’i lirojmë, ndërsa lluksi që i korrespodon regjistrit të dëshirave, të shtrenjtohet”, deklaronte Kurti.
Ndërsa, sipas Agjencionit të Statistikave të Kosovës, aktualisht çmimet e produkteve bazë në Kosovë janë rritur tejmase. Gjatë ditës së sotme çmimi për një bukë ka shkuar në 50 cent, ndërsa edhe produktet e tjera si vaji, sheqeri e mielli janë rritur.
Gjithashtu, rritje kanë pësuar edhe produktet e mishit dhe të qumështit, ndërsa qeveria e Kosovës deri më tani nuk është deklaruar rreth kësaj çështjeje.