Muhaxheri: Në rritjen e LDK-së ndikoi kryetari i ri, sot do të diskutohet për koalicionet

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) sot do të mbledhë kryesinë e partisë për të vendosur për koalicionet e mundshme në nëntë komuna që tashmë kandidatët e kësaj partie janë në balotazh.

Kështu ka bërë të ditur anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gazmend Muhaxheri, i cili në zgjedhjet lokale të 17 tetorit ka fituar mandatin e tretë si kryetar i komunës së Pejës. Muhaxheri beson se nesër apo pasnesër do jenë të qarta orientimet e LDK-së për garën e balotazhit më 14 nëntor.

“Këto janë specifika që i bie secilës degë, por është vendim që e merr kryesia qendrore e partisë, për koalicione vendosin në nivel të kryesisë. Sot është e thirrur mbledhje e kryesisë, nesër apo pasnesër do të jenë të qarta orientimet çfarë do t’i kenë nga bisedat që i zhvillojnë kryetarët e degëve me kryesinë dhe kryetarin, çfarë orientime do të marrin në të ardhmen”, tha Muhaxheri.

Duke folur për rezultatin zgjedhjeve për kryetar të komunave, Muhaxheri beson se me ndryshimet që kjo parti ka bërë në udhëheqje, por edhe struktura LDK do të kthehet fuqishëm në zgjedhjet e ardhshme nacionale.

“Besojmë që elektorati dhe po stabilizohet besojmë që në zgjedhjet e ardhshme qytetarët e Republikës së Kosovës do të jenë më koshientë për partitë të cilët kanë program dhe qëndrueshmëri për ta çuar këtë vend përpara… Sidomos ka ndikuar kryetari i ri, zgjedhja e tij, zgjedhja e qëlluar që është bërë prej strukturave të partisë dhe besojmë që nën udhëheqjen e kryetarit të ri LDK do të kthehet fuqishëm në zgjedhjet e ardhshme nacionale”, tha ai.

Kryetari i komunës se Pejës, i cili fitoi edhe mandatin e tretë për të udhëhequr edhe për katër vjet me këtë komunë, thotë se nuk ka pasur aspak dilema se do jetë fitues i kësaj gare.

“Ne i kemi kryer tri sondazhe si degë dhe e kemi ditur plotësisht situatën të cilën e kemi nuk kemi pasur asnjë dilemë sipas neve pritshmëritë kanë qenë 59% tash ka dalë më shumë”, tha ai.

Në bazë të rezultatit preliminar të KQZ-së në balotazh LDK-ja do të jetë Prishtinë si partia e dytë ndërsa e para është Lëvizja Vetëvendosje. Krahas kryeqytetit, Gjilani me kandidatin dhe kryetarin aktual Lutfi Haziri do të jetë me Alban Hysenin e LVV-së.

Edhe në Viti, Sokol Haliti i LDK-së, i cili aktualisht prin me vota do të jetë në balotazh me Arsim Ademin e LVV-së. LDK edhe në komunën e Vushtrrisë është në balotazh pasi kryetari aktual i kësaj komune nga kjo parti, Xhafer Tahiri është i dyti sa i përket numërimit të votave, kurse i pasi është kandidati i PDK-së, Ferit Idrizi.

Në Istog, Ilir Ferati i LDK-së do të jetë në balotazh me Bekë Berishen e AAK-së. Ndërsa në Fushë Kosovë, Burim Berisha i LDK-së do të jetë në balotazh me Enver Bajçincën e LVV-së. LDK është në balotazh edhe në Dragash me PDK-në, ndërsa në Podujevë me LVV. LDK-ja në balotazh do të jetë edhe në Junik. Në këtë komunë LDK do të jetë në garë me AAK-në.