Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media sot, një ditë pas zgjedhjeve që u mbajtën dje, tha se ai beson që kandidati i kësaj partie, Arben Vitia do të jetë kryetar i Prishtinës pas datës 15 nëntor.
Vitia është liruar nga detyra dhe është në garë për Prishtinën dhe prin qartazi në balotazh dhe besoj se ai do të jetë kryetar i kryeqytetit dhe ai me datë 15 nëntor do ta marrë detyrën.
Kurti tha se zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit nuk krahasohen me zgjedhjet lokale të 17 tetorit, pasi që sipas tij, në listën e tyre për zgjedhjet parlamentare kanë qenë tre njerëz që tash drejtojnë institucione.
“Sa i përket zgjedhjeve të 14 shkurtit, nuk besoj se mund të krahasohen me zgjedhjet e 17 tetorit sepse në atë listën tonë të përbashkët kanë qenë tre njerëz të cilët sot drejtojnë tri institucione”.
Nuk mund të krahasohen listat nëpër komuna me atë listë. Ajo listë është e pashembullt jo vetëm në Kosovën e pasluftës”.
“Në atë listë, ku presidentja, kryeparlamentari dhe unë jemi në krye, nuk ka më asi liste më edhe kushedi sa vjet e dekada”, është shprehur Kurti në konferencë, njofton Klankosova.tv.
Ndërsa, sa i përket asaj se kandidatët e kësaj partie nuk fituan asnjë komunë, Kurti tha se për ta është më mirë sepse kanë kohë të sqarohen por kjo nuk u konvenon qytetarëve.
“Sa për neve, është më mirë që ta sqarojmë vetën tonë për zgjedhje lokale. Por për qytetarët do të ishte më mirë që të fitonin kandidatët tonë mbrëmë”, ka thënë Kurti.