Federata e Futbollit e Kosovës e ka nisur sezonin e ri në kuadër të programit “Elite Youth Development Programme U15” në mbështetje të UEFA-s, ku janë të përfshirë futbollistët e lindur në vitin 2007. Faza e parë e këtij projekti ka nisur më 5 tetor dhe është duke vazhduar në Kampin Edukativ Nacional në Hajvali, ku grumbullohen në ditë të ndara futbollistët e përzgjedhur nga 7 Lidhjet Rajonale. Të përfshirë në këtë program edhe sivjet janë trajnerë nga të gjitha regjionet, derisa nga afër talenet e rinj do të përcjellen në të shumtën e rasteve edhe nga përzgjedhësi i Kombëtares U15, Ilir Nallbani dhe përzgjedhësi i Kombëtares U17, Arsim Abazi, pasi synimi i këtij projekti është nxjerrja në pah e sa më shumë lojtarëve që në të ardhmen mund të jenë potencial për ekipet kombëtare. Gjatë ditës së sotme talentin e tyre para trajnerëve të këtij programi e kanë shfaqur futbollistët e përzgjedhur nga ekipet e regjionit të Prizrenit, derisa për ta parë nga afër ecurinë e këtij projekti ka qenë edhe presidenti Agim Ademi. Menaxheri i këtij programi, Edmond Rugova, është shprehur i kënaqur me punën e bërë në këtë projekt gjatë dy viteve të fundit, ku përkundër faktit se futbolli u godit nga pandemia, u arrit që gjithçka të përmbyllet me sukses. Ai pret që edhe sivjet puna të ecën mirë dhe të gjithë të punojnë me përkushtim, në mënyrë që talentet të vlerësohen drejt dhe të përzgjidhen më të mirët.