Kryetarët e komunave do të diskutojnë sot lidhur me situatën pandemike si dhe masat antiCOVID të vendosura nga Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Shëndetësisë.
Takimi në mes përfaqësuesve të komunave dhe atyre të MSh-së do të zhvillohet në formë virtual duke nisur nga ora 14:00.
Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga kryetari i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi.
Ibrahimi ka konfirmuar takimin në fjalë, por nuk ka saktësuar se çfarë pritet të ndryshojë në këto masa.
Ndryshe lajmi.net mëson se pas këtij takimi pritet që të bëhet edhe ndryshimi i masave antiCOVID, por nuk dihet saktësisht nëse nga këto masa do të largohet ora policore e vendosur nga ora 22:00 deri në ora 05:00 të mëngjesit.
Nesër bëhen dy javë që nga miratimi i masave të fundit për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.
Tani për tani në nivel vendi janë gjithsej 1 mijë e 737 raste aktive, ndërsa gjatë ditës së djeshme janë konfirmuar 41 raste pozitive me koronavirus.
Gjatë dy javëve të fundit pati një rënie të numrit të viktimave si dhe të rasteve pozitive me koronavirus.