Si t’i eliminoni problemet me barkun, trajtime natyrale

Problemet e barkut që vijnë si rezultat i infeksioneve, janë më të përhapura tek fëmijët e vegjël dhe shkaktohen nga virozat.

Në një fazë të jetës të gjithë kanë patur probleme me barkun. Disa nga simptomat më të përhapura përfshijnë fryrje, kriza të muskujve të barkut dhe në raste më serioze diare e vazhdueshme, shkruan ClassLife.

Problemet me barkun zakonisht kuptojnë se organizmi po kalon në një shqetësim të sistemit gastrointensinal apo tretës. Shkaqet e këtyre shqetësimeve janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga virozat e stinës, infeksionet bakteriale apo përdorimi i antibiotikëve.

Por shpesh këto probleme lindin edhe si pasojë e helmimit nga ushqimi dhe ujit që konsumojmë në përditshmëri. Problemet e barkut që vijnë si rezultat i infeksioneve, janë më të përhapura tek fëmijët e vegjël dhe shkaktohen nga virozat.

Ndërsa ato që shkak kanë helmimin vijnë si pasojë e ruajtjes jo në mënyrën e duhur të ushqimit. Ju sjellim disa metoda efektive të cilat arrijnë të ndihmojnë trupin në normalizimin e krizave të barkut.

Hidratimi: Dehidratimi është një nga pasojat që shkaktojnë problemet me barkun, dhe në disa raste diçka e tillë është fatale. Prandaj është shumë e rëndësishme që të konsumohen lëngje natyrale dhe ujë. Ato që duhen të shmangen janë aklooli, qumështi dhe pijet me kafeinë, pasi mund të përkeqësojnë simptomat.

Probiotikët: Probiotikët ju duhen. Ato janë burimi kryesor i baktereve të mira të cilat ndodhen në mukozën e organeve të sistemit tretës. Këta janë praktikisht organizma të gjallë të cilët jetojnë në disa ushqime. Këtu përfshihen djathi i bardhë, kosi, kefiri, ullinjtë jeshil, çokollata e zezë, lakra dhe kastravecët turshi. Bakteret e mira që jetojnë në organet e sistemit tretës janë thelbësore në mbrojtjen e tyre nga infeksionet. Kur organizmi bie në kontakt me antibiotikë të ndryshëm, apo preket nga viruse, probiotikët ndihmojnë në ekuilibrimin e funksioneve të sistemit tretës.

Ushqimet që duhen konsumuar

Ushqimet të cilat ndihmojnë në kontrollimin e simptomave të problemeve me barkun përfshijnë: bananet, orizin, pure molle dhe bukë të thekur. Këto ushqime bëjnë të mundur që shëndeti i organeve të sistemit tretës të mos përkeqësohet. Ushqime të tjera që mund të konsumoni janë: tërshëra, patate të zjera apo të pjekura pa lëkurë, mish pule e pjekur pa lëkurë dhe supë pule.

Ushqimet që duhet të shmangni

Ushqimet e skuqura apo me yndyrë të tepërt ndikojnë në përkeqësimin e simptomave të problemeve me barkun. Ju këshillojmë që të mos konsumoni as ushqime me nivel të lartë fibrash. Këtu futen frutat dhe perimet pasi ndikojnë në fryrjen e stomakut. Gjithashtu ushqime të tjera që duhen shmangur janë: alkooli, bishtajorët, brokoli, lakra e gjallë, lulelakra, misri, qiqrat, akullorja, kumbullat, çaji e qumështi. Por nëse simptomat zgjasin për një kohë të gjatë, është e këshillueshme që të konsultoheni me mjekët e fushës për trajtime më të forta.