Publikohet aktakuza me më pak redaktime ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt

Dhomat e Specializuara të Gjykatës së Hagës e kanë publikuar aktakuzën ndaj krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Aktakuza është publikuar me më pak redaktime.

Gucati dhe Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Aktakuza ndaj tyre u konfirmua më 11 dhjetor 2020 dhe u publikua më 14 dhjetor 2020.

Ndërsa, një aktakuzë e korrigjuar u parashtrua më 5 korrik 2021, kurse ajo me më pak redaktime më 4 tetor 2021.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, njoftojnë Dhomat e Specializuara përcjell Klankosova.tv.

Krerët e OVL UÇK-së ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”.

Aktakuzën e publikuar ndaj Gucatit dhe Haradinajt mund ta gjeni KËTU.