Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka bërë të ditur se nga sot do të rikthehet puna në ambulanca specialistike, për shkak të rënies së numrit të pacientëve të hospitalizuar me COVID-19.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se do të bëhet edhe dezinfektimi i hapësirave.
Po ashtu, nga e hëna janë liruar edhe hapësirat e klinikave interne dhe aty më nuk ka pacientë me COVID-19.
“Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ( ShSKUK), njofton se nga data 22 shtator 2021 ( e mërkurë), do të rikthehet puna në ambulanca specialistike, për shkak të rënies së numrit të pacientëve të spitalizuar me COVID-19”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës në total numri i rasteve aktive me coronavirus është 7,635.
Derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 148,781, nga coronavirusi kanë vdekur 2,912 persona.
Në 24 orët e fundit janë dhënë 17.643 doza të vaksinës kundër COVID-19.
Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.193.786 doza të vaksinës.
Deri më sot 453.760 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.