Numër i madh i serbëve edhe sot në Jarinje, vazhdon bllokada me markineri të rënda

Bllokimi i rrugëve që qojnë në vendkalimin kufitar në Jarinje vazhdojnë të jenë të bllokuara edhe sot.

Numër i madh i protestuesve serbë vazhdojnë të kundërshtojnë vendimin e Qeverisë Kurti për reciprocitet me Serbinë, e që saktësisht ka të bëjë me targat e automjeteve.

Serbët edhe sot vazhdojnë të jenë të grumbulluar në pikën kufitare në Jarinje dhe Bërnjak ku në formë proteste po vazhdojnë kundërshtimin e vendimit të marrë nga Qeveria e Kosovës, saktësisht Ministria e Punëve të Brendshme për reciprocitet.

Rrugët kryesore që qojnë në vendkalimet Jarinje dhe Bërnjak janë bllokuar nga makineritë e rënda të vendosura nga qytetarët e pakënaqur serbë që nga e hëna në mëngjes.

Sipas raportimeve të para të bëra sot theksohet se numri i serbëve sot është rritur edhe më tepër në krahasim me mbrëmjen e kaluar.

Në këtë vendngjarje vazhdojnë të jenë të pranishëm Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosovës, ata të Zjarrfikësve dhe të Emergjencës.

Që të tri njësitë emergjente janë në gatishmëri me situatën, ndërsa po kujdesen nga afër që të mos ketë ndonjë incident të mundshëm, raporton lajmi.net.

Përpos Njësive të Policisë së Kosovës në monitorim të situatës është edhe KFOR-i.

Gjatë dy ditëve të kaluara në Jarinje e Bërnjak janë parë helikopterë që nga lartë vëzhgonin situatën.

Lidhur me situatën e krijuar në veri të vendit, pati reagime të shumta nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

BE dhe Amerika kërkuan që tensionet në mes dy vendeve të ulen , duke theksuar se e vetmja zgjidhje e çdo çështje është dialogu.

Ndryshe kryeministri i vendit, Albin Kurti mbrëmë është deklaruar sërish për situatën, ku tha se vendimi është reciprocitet dhe jo provokim.

Gjatë ditës së djeshme Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se janë dhënë mbi 1 mijë e 554 targa provuese.

Në mesin e shumë njerëzve që kërkuan të pajisen me targa të përkohshme, apo provuese ishin edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

Të njëjtit janë nisur drejt Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Prishtinë, ku kanë pritur për t’u pajisur me këto targa.

Të gjitha automjetet të cilat hyjnë nga Serbia në Kosovë duhet që të ndërrojnë targat në ato provuese.

Kurse zyrtarët policorë në rast se hasin në targa “GL,MK” apo diçka të ngjashme duhet t’i marrin për shkatërrim ato targa, ndërsa të gjitha targat tjera zyrtare të Serbisë duhet të ndërrohen në ato provuese të Republikës së Kosovës.