Që nga orët e para të mëngjesit vëmendja u drejtua në veri të Kosovës, saktësisht në Jarinje.
Zyrtarë të shumtë të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës u vendosën në pikat kufitare të Jarinjes, për të përcjellur nga afër situatën e krijuar në këtë anë.
E gjithë kjo u bë për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin ndaj Serbisë, lidhur me targat e automjeteve.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla deklaroi se “obligohet pajisja me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës. Pajisa me targa të përkohshme bëhet në të gjitha pikat kufitare të Republikës së Kosovës”.
Në këtë vendim gjithashtu u theksua se vlefshmëria e këtyre targave është 60 ditë, transmeton lajmi.net.
Por largimi i targave nuk po bëhet vetëm në veri të Kosovës, por edhe në qytetet e tjera.
Zyrtarët policore tashmë janë të obliguar që në momentin kur hasin në targa të llojit ( KM, GL, UR dhe të tjera) të hiqen dhe ato t’i dërgojnë për shkatërrim, raporton lajmi.net.
Ndërsa në rast se hasin në tabela të rregullta të shtetit serb, atëherë drejtuesit e automjeteve në fjalë duhet të pajisen me tabela provuese.
Vetura të shumta me targa ‘VR’ hasen shpesh herë edhe në kryeqytet, e ngjashëm janë parë edhe sot.
Por tashmë zyrtarët policorë janë vendosur thuajse në çdo pikë të vendit, në mënyrë që të bëhet ndërrimi i këtyre tabelave me ato të përkohshme.
Ngjashëm kanë vepruar zyrtarët policorë edhe në Komunën e Graçanicës, komunë kjo e banuar me shumicë serbe.
Në dalje të Graçanicës janë parë zyrtarë policore duke u larguar qytetarëve tabelat e shtetit serb dhe vendosjen e atyre të përkohshme.
Ministria e Brendshme e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë pikat e tjera kufitare, jo atë të Jarinjes dhe Bërnjakut për shkak të situatës së krijuar pas protestave të serbëve për vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me shtetin serb.