Në pikat kufitare sot ka filluar reciprociteti për targat e automjeteve. Tashmë në automjetet që vijnë nga Serbia për në Kosovë po iu vendosen targat e përkohshme të Republikës së Kosovës. Kjo është bërë e ditur nëpërmjet një komunikate nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“Ministria e Punëve të Brendshme, së bashku me Policinë e Kosovës është duke kryer veprime në të gjithat pikat kufitare të cilat kanë për qëllim zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë – konkretisht targave të automjeteve. Me këtë rast, MPB-ja, me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve edhe pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vitit 2016, ka nxjerrë vendim që obligon pajisjen me targa të përkohshme për të gjithë automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Njëkohësisht, MPB dhe policia kanë ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme për të reduktuar në maksimum pritjet në pikat kufitare”, thuhet në komunikatën për medie.
Tutje në komunikatë thuhet se “Njoftojmë opinionin se nga data 15 shtator nuk ka në qarkullim asnjë veturë të pajisur me targa valide “KS” dhe rrjedhimisht targat e vetme ligjore dhe me afat të lëshuara nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë ato me denominimin “RKS””, thuhet mes tjerash në komunikatë.
Vijon se “Situata është e qetë. Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operative dhe logjistike që të mos pengojnë dhe vonojnë lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave”.
Ndërkohë është bërë bllokimi e disa rrugëve të cilat të shpien në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak. Qytetarët vendosen kamionë në rrugë.
Po ashtu u raportua se paraditen e sotme se një shqiptar është rrahur në veri të Mitrovicës.
Sipas burimeve ai është rrahur derisa po kalonte udhëkryqin afër shkollës teknike në veri të Mitrovicës, nga disa persona që dyshohet të jenë pjesëtarë të organizatës paralele në veri “civilna zashtita”.