Arrestohet reperi G-Eazy pasi u akuzua për sulm fizik ndaj dy personave

Reperi dyshohet se ka goditur me grushte dy burra jashtë një hoteli në Nju Jork.

G-Eazy është arrestuar dhe akuzuar për sulm ndaj dy burrave jashtë një hoteli në Nju Jork, është raportuar, shkruan NME.

Një grindje mes tre burrave dyshohet se u zhvillua jashtë hotelit The Standard në Manhattan të premten (10 Shtator).

Sipas Billboard, reperi pretendohet se i ka goditur me grushte të dy burrat në fytyrë rreth orës 1 të mëngjesit.

Asnjë nga burrat nuk u shtrua në spital për shkak të incidentit të pretenduar, megjithëse ata akuzuan yllin për “shkaktimin e dhimbjes dhe skuqjes”.

G-Eazy u arrestua të hënën (13 shtator), një ditë pasi mori pjesë në MTV VMA në Brooklyn. Policia i tha NBC se ai ishte arrestuar me akuza për kundërvajtje dhe u lirua pasi iu dha një biletë për t’u paraqitur në gjykatë në një datë të mëvonshme.

Ai ishte arrestuar më parë në vitin 2018 për goditje të një roje sigurie jashtë një klubi në Stokholm, si dhe posedim dhe përdorim të lëndëve narkotike

. G-Eazy u deklarua fajtor për ato akuza dhe u dënua me kusht.