Von der Leyen: Investimet në Ballkan janë investime në të ardhmen e BE-së

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se investimet në Ballkanin Perëndimor janë investime në të ardhmen e Bashkimit Evropian.

Von der Leyen po mban të mërkurën fjalimin vjetor për gjendjen e BE-së, në një seancë plenare të Parlamentit Evropian.

Ajo përsëriti qëndrimin e bllokut për procesin e zgjerimit dhe, siç tha, rëndësinë që ka Ballkani Perëndimor për të ardhmen e BE-së.

Von der Leyen paralajmëroi se para fundit të këtij muaji do të udhëtojë në rajon, për të dërguar sinjalin e fortë për vazhdimin e procesit të zgjerimit.

“Investimet në Ballkanin Perëndimor janë investime në të ardhmen e Bashkimit Evropian”, tha ajo dhe shtoi se për këtë qëllim, BE-ja është duke zbatuar plane të veçanta për investime në vendet e rajonit, transmeton REL.

Von der Leyen tha se investimet e BE-së në Ballkanin Perëndimor përbëjnë 1/3 e bruto prodhimit vendor të rajonit.

Ajo foli edhe për masat që ka ndërmarrë BE-ja prejse ka nisur pandemia e koronavirusit, duke përmendur, siç tha, suksesin e bllokut në vaksinim, ndihmën me vaksina për vendet e tjera dhe miratimin e planit për t’iu ndihmuar shteteve anëtare për rimëkëmbje ekonomike.

Von der Leyen foli edhe për krizën në Afganistan, duke premtuar rritjen e ndihmës humanitare të BE-së për qytetarët e këtij shteti, i cili muajin e kaluar ka rënë nën kontrollin e militantëve talibanë.