Gastronomët paralajmërojnë largimin e arkave fiskale: Është mbushur kupa, s’kemi asnjë ndihmë

Qeveria e Kosovë nuk është koordinuar me Shoqatën e Gastronomëve për asnjë vendim të marrë sa i përket masave antiCOVID.

Veton Zuka nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka thënë për Ekonomia Online se për çdo vendim të marrë nga Qeveria edhe përkundër takimeve të shumta, nuk janë konsultuar fare.

Ai tha se koha po ftohet dhe kufizimi i hapësirave të brendshme në lokale do ta dëmtojë shumë gastronominë.

Zuka theksoi se kanë kërkuar takim me ministrin e Financave dhe atë të Shëndetësisë që në koordinim t’u ndihmojnë financiarisht.

“Si çdo vendim ka qenë moskonsultim edhe me gastronomët dhe është marrë njëanshëm edhe përkundër takimeve që kemi pasur na kumtim i vendimit jo si konsultë edhe sigurisht që na ka dëmtuar shumë. Koha veç po ftohet dhe përkundër që kemi kufizimet në lëvizje gjithçka është në dëm të ekonomisë, gastronomeve gjë që prapë na ka dëmtuar shumë dhe po na dëmton”.

“Na kemi disa prej kërkesave që kemi parashtruar edhe më herët financiare që mund të aplikohen në mënyrë që të tejkalohet si krizë dhe mund të jetë opsioni më i mirë me filluar me kërkesë të vaksinimi çdo klienti në mënyrë që të mundësohet puna brenda edhe në hapësira të mbyllura. Kjo si kërkesë do të shkojë në Qeveri dhe kemi kërkuar takim me ministrin e Financave dhe ministrin e Shëndetësisë që në koordinim me ta të ndihmojnë financiarisht dhe me i liruar masat në kuptimin e shfrytëzimit të hapësirave të brendshme”.

I mllefosur, Zuka thotë se është mbushur kupa dhe krejt ky kufizim është i papranueshëm për ta.

Ai madje paralajëmron edhe heqjen e arkave fiskle, nëse nuk ka lirim të masave nga ana e institucioneve për këtë sektor, raporton EO.

“Tash është mbushur kupa dhe krejt ky kufizim i punës dhe mos me u diskutuar për asnjë ndihmesë është e papranueshme për neve dhe bizneset. Nëse vazhdohet kështu këtë javë po presim takim edhe me gastronomët dhe do të vendosim për hapat e mëtutjeshëm përndryshe një prej opsioneve është edhe largimi i arkave fiskale nga lokalet”.